Shkup, 18 maj 2026 – TITAN Usje sot shënoi jubileun dyvjeçar të qendrës edukative “Innovatorium – Klub i njohurive dhe aftësive të avancuara”, përmes së cilës nxënësit e shkollave fillore fitojnë njohuri dhe aftësi praktike në fushën e modelimit 3D, printimit 3D, robotikës dhe inxhinierisë.
Në ngjarjen përmbyllëse të vitit të dytë të programit për printim 3D morën pjesë më shumë se 500 nxënës nga tetë shkolla fillore të Komunës së Aerodromit, drejtorët e shkollave, profesorët, përfaqësues të Komunës së Aerodromit, Fakultetit Teknologjik-Metalurgjik dhe partnerë të projektit.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, drejtori ekzekutiv kryesor Konstandinos Nikolaou theksoi se programi paraqet një investim të rëndësishëm në dijen, kureshtjen dhe potencialin e gjeneratave të reja.
Në ngjarje foli edhe drejtori teknik Lupço Donçev, i cili theksoi se përmes trajnimeve për printim 3D në “Innovatorium”, nxënësit patën mundësi të njihen me printimin 3D, robotikën dhe bazat e inxhinierisë, por edhe më e rëndësishmja – të mësojnë përmes hulumtimit, eksperimentimit dhe krijimit.
“Në epokën e digjitalizimit, është shumë e rëndësishme t’u ofrojmë të rinjve mundësi për të fituar aftësi dhe shprehi shtesë, krahas atyre që i marrin në shkolla. Kur e themeluam ‘Innovatoriumin’, qëllimi ynë ishte të krijonim një hapësirë përmes së cilës do të nxisnim motivim më të madh dhe interes për shkencat STEM te nxënësit dhe shkollat fillore të këtij rajoni të qytetit. Jemi veçanërisht të lumtur që këtë vit trajnimet i zgjeruam edhe në Komunën e Aerodromit, ku u përfshinë 524 nxënës. Vitin e kaluar programi përfshiu shkollat fillore të Komunës së Kisella Vodës me pjesëmarrjen e më shumë se 200 nxënësve. Kjo është një dëshmi e fortë se të rinjtë kanë dëshirë të madhe për të mësuar, hulumtuar dhe për t’u njohur me teknologjitë moderne”, theksoi Lupço Donçev.
Në realizimin e programit, partnerë të TITAN Usje janë Fakulteti Teknologjik-Metalurgjik, vetëqeverisja lokale dhe shkollat, ndërsa nga kompania theksojnë se pikërisht partneritete të tilla janë kyçe për krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë.
TITAN Usje prej më shumë se 70 vitesh është pjesë e komunitetit, ndërsa përmes programit “Partneritet me shkollat”, i cili realizohet që nga viti 2009, kompania investon vazhdimisht në kushte më të mira për mësim dhe zhvillim të nxënësve.
Në fund të ngjarjes, nxënësit morën mirënjohje për përfundimin me sukses të trajnimeve, ndërsa nga kompania u dërgua mesazhi që të rinjtë të vazhdojnë të hulumtojnë, të bëjnë pyetje dhe të krijojnë, sepse pikërisht ata janë e ardhmja.
“Innovatorium – klub i njohurive dhe aftësive të avancuara” ndodhet brenda kompleksit të TITAN USJE, ndërsa për nxënësit është siguruar edhe transport me autobus. Një pjesë e kapaciteteve të “Innovatoriumit” dhe mjeteve shkencore janë vënë në dispozicion të të gjithë mësimdhënësve të matematikës, fizikës dhe kimisë nga shkollat komunale, në mënyrë që ato të mund të përdoren edhe gjatë mësimit të r
regullt.





