Lidl Maqedonia e Veriut vazhdon fushatën për punësim “Lojë e mirë. Fair play”, duke hapur mundësi të reja pune në qendrën logjistike në Kumanovë dhe në marketet në mbarë vendin. Nga kompania thonë se përmes kësaj fushate synojnë të përcjellin mesazh për marrëdhënie korrekte, transparencë dhe profesionalizëm, si dhe përkushtimin e tyre afatgjatë ndaj tregut maqedonas.
Aktualisht, kompania punëson më shumë se 400 persona dhe ofron proces të strukturuar trajnimi për punonjësit e rinj, i cili zgjat nga 6 deri në 8 javë. Në Lidl, siç theksojnë nga kompania, puna bazohet në respekt, besim, bashkëpunim dhe zhvillim profesional.
Nga Lidl Maqedonia e Veriut bëjnë të ditur se deri më tani kanë investuar mbi 200 milionë euro në infrastrukturë moderne tregtare dhe logjistike, ndërsa qendra logjistike në Kumanovë është më e madhja e Lidl-it në Ballkan. Kompania paralajmëron hapjen e marketeve në të gjithë vendin, me qëllim që konsumatorëve t’u ofrojë produkte cilësore me çmime të përballueshme.
Përveç vendeve të reja të punës, Lidl bashkëpunon aktivisht edhe me prodhuesit vendorë. Gjatë vitit 2025, eksporti i produkteve maqedonase përmes rrjetit të Lidl arriti në 15.5 milionë euro, duke shënuar rritje të konsiderueshme dhe mbështetje për ekonominë vendore.
Nga kompania shtojnë se mbeten të fokusuar në zhvillimin e mëtejshëm në Maqedoninë e Veriut, hapjen e vendeve të reja të punës dhe mbështetjen e prodhimit dhe eksportit vendor.





