Kryeministri britanik Keir Starmer mund të japë dorëheqjen në favor të kryetarit të bashkisë së Mançesterit, Andy Burnham.
Gazeta “Daily Telegraph” raporton se dy ditë më parë, Burnham njoftoi qëllimin e tij për të kandiduar në zgjedhjet e pjesshme për Dhomën e Komunave (dhoma e ulët e Parlamentit) në zonën zgjedhore Makerfield në Anglinë veriore, dhe dje Komiteti Ekzekutiv Kombëtar i Partisë Laburiste miratoi kandidaturën e tij.
Nëse zgjidhet në Parlament, Burnham mund të aspirojë potencialisht për postin e kryeministrit. Janarin e kaluar, Burnham kishte tentuar të kandidonte në zgjedhjet e pjesshme në zonën zgjedhore Gorton dhe Denton në Mançester, por udhëheqja e Partisë Laburiste e bllokoi kandidaturën e tij, transmeton Ansa, përcjell KosovaPress.
Burime të cituara nga Daily Telegraph thonë se Starmer po shqyrton “të gjitha opsionet” dhe mund të japë dorëheqjen vullnetarisht, pavarësisht se ka përsëritur publikisht gatishmërinë e tij për të hedhur poshtë çdo përpjekje për të sfiduar udhëheqjen e tij. Ky skenar do të ishte i mundur nëse fraksione të ndryshme brenda Partisë Laburiste do të bashkoheshin rreth Burnham, shtoi gazeta, duke theksuar gjithashtu se Starmer nuk ka gjasa të japë dorëheqjen para rezultatit të zgjedhjeve të pjesshme të Makerfield.





