Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) vazhdon me kontrollet e shtuara në terren për fiskalizimin, ndërsa në katër muajt e parë të vitit 2026 te mbi 40% e subjekteve të kontrolluara janë konstatuar parregullsi në përputhje me Ligjin për Regjistrimin e Pagesave në Para të Gatshme, prej të cilave 30% janë parregullsi që nënkuptojnë drejtpërdrejt mosdhënie të llogarive fiskale, lëshim të llogarive të parregullt dhe mungesë të arkës fiskale, transmeton Portalb.mk.
Gjatë kësaj periudhe, DAP realizoi gjithsej 960 kontrolle në terren për fiskalizim, që paraqet rritje prej 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Me kontrollet janë përfshirë lloje të ndryshme subjektesh afariste:
434 objekte hotelierike;
318 objekte tregtare;
201 objekte shërbyese;
7 organizatorë të lojërave të fatit.
Kontrollet janë realizuar në bazë të denoncimeve të qytetarëve përmes linjës 198, analizave të brendshme të DAP-it dhe koordinimit me institucionet e tjera kompetente.
Nga DAP theksojnë se qytetarët janë inkurajuar më shumë të raportojnë parregullsi përmes Qendrës së Kontaktit dhe linjës informative të DAP-it.
Kështu, në këtë periudhë janë pranuar gjithsej 887 denoncime nga qytetarët, që është rritje prej 36% krahasuar me numrin e denoncimeve vitin e kaluar.





