Mëngjesin e 14 majit, Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, i cili ndodhet për një vizitë shtetërore në Kinë.
Xi Jinping theksoi se bota po kalon ndryshime të shpejta ndërsa situata ndërkombëtare është komplekse dhe e paqëndrueshme. A mund ta kapërcejnë Kina dhe Shtetet e Bashkuara “Kurthin e Tukididit” dhe të krijojnë një paradigmë të re për marrëdhëniet midis vendeve të mëdha? A mund të punojnë së bashku për të adresuar sfidat globale dhe për të injektuar më shumë stabilitet në botë? A mund të përqendrohen në mirëqenien e dy popujve dhe në të ardhmen e njerëzimit, për të krijuar së bashku një të ardhme të ndritur për marrëdhëniet dypalëshe? Këto janë pyetje të historisë, pyetje të botës dhe pyetje të popujve; ato presin gjithashtu përgjigje që udhëheqësit e fuqive të mëdha duhet t’i shkruajnë së bashku për kohën tonë. Jam i gatshëm të punoj me Presidentin Trump, për të drejtuar sa më mirë anijen e marrëdhënieve Kinë-SHBA, për ta bërë 2026 një vit historik dhe të rëndësishëm për raportet mes dy vendeve, duke lënë pas të shkuarën dhe duke ecur drejt së ardhmes.

Foto nga Hsinhua
Xi Jinping theksoi se Kina është e përkushtuar ndaj zhvillimit të qëndrueshëm, të shëndetshëm dhe të vazhdueshëm të marrëdhënieve Kinë-SHBA. Ai deklaroi se ai dhe Presidenti Trump ranë dakord të krijojnë një “marrëdhënie strategjike dhe të qëndrueshme konstruktive midis Kinës dhe SHBA-së”, si një pozicionim i ri për marrëdhëniet mes dy vendeve, i cili do të ofrojë udhëzime strategjike për tre vitet e ardhshme dhe më tej, me besimin se do të mirëpritet nga popujt e dy vendeve dhe bashkësia ndërkombëtare.
“Stabiliteti strategjik konstruktiv” duhet të jetë pozitiv, i bazuar në bashkëpunim, me konkurrencë të moderuar, i normalizuar, me dallime të menaxhueshme dhe qëndrueshmëri, për një të ardhme premtuese paqeje. “Një marrëdhënie strategjike e qëndrueshme dhe konstruktive midis Kinës dhe SHBA-së” nuk është vetëm një slogan, por duhet të jetë çështje veprimesh të bashkërenduara.

Foto nga Hsinhua
Xi Jinping theksoi se thelbi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA është përfitimi i ndërsjellë dhe fitimi për të dyja palët. Përballë dallimeve dhe fërkimeve, konsultimi i barabartë është e vetmja zgjedhje e saktë. Ditën e djeshme përfaqësuesit ekonomikë dhe tregtarë të të dyja palëve, arritën një rezultat përgjithësisht të ekuilibruar dhe pozitiv, një lajm i mirë ky për popujt e dy vendeve dhe botën. Të dyja palët duhet të punojnë së bashku për të ruajtur momentumin pozitiv të fituar me mund. Dera e Kinës për hapje, do të vazhdojë të hapet gjërë e më gjerë, dhe kompanitë amerikane janë thellësisht të përfshira në reformën dhe hapjen e vendit. Kina mirëpret SHBA-në për të forcuar bashkëpunimin e dobishëm dhe të ndërsjellë me Kinën.
Xi Jinping theksoi se të dyja palët duhet të zbatojnë konsensusin e rëndësishëm të arritur dhe të shfrytëzojnë më tej kanalet politike dhe diplomatike, si dhe kanalet e komunikimit midis dy ushtrive. Ato duhet të zgjerojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fusha të tilla si tregtia, shëndetësia, bujqësia, turizmi, kultura dhe zbatimi i ligjit.
Xi Jinping theksoi gjithashtu se Tajvani është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet Kinë-SHBA. Nëse trajtohet mirë, marrëdhëniet dypalëshe mund të ruajnë stabilitetin e përgjithshëm. Nëse trajtohet keq, të dy vendet do të përplasen dhe konfliktohen, duke e shtyrë marrëdhënien Kinë-SHBA në një situatë shumë të rrezikshme. “Pavarësia e Tajvanit” dhe paqja në Ngushticën e Tajvanit janë të papajtueshme. Ruajtja e paqes dhe stabilitetit në mbarë Ngushticën e Tajvanit, është emëruesi më i madh i përbashkët midis Kinës dhe SHBA-së, ndaj SHBA duhet ta trajtojë çështjen e Tajvanit me kujdesin më të madh.
Trump deklaroi se ishte një nder i madh për të, të zhvillonte një vizitë shtetërore në Kinë. Ai vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA-së dhe Kinës, duke theksuar raportin afatgjatë dhe të mirë midis Presidentit Xi Jinping dhe tij, raportit që ai ka mbajtur me Kinën, dhe shumë çështje të rëndësishme që ata kanë zgjidhur.

Foto nga Hsinhua
Ai theksoi se Presidenti Xi është një udhëheqës i madh dhe Kina është një vend i shkëlqyer. Ai respekton thellësisht Presidentin Xi dhe popullin kinez. Më tej shtoi se se takimi i sotëm është i rëndësishëm dhe globalisht thelbësor. Ai shprehu gatishmërinë e tij për të punuar me Presidentin Xi për të forcuar komunikimin dhe bashkëpunimin, për të zgjidhur siç duhet mosmarrëveshjet, për të sjellë marrëdhënien më të mirë SHBA-Kinë në histori, si dhe për të krijuar një të ardhme më të ndritur për të dyja vendet.
Ai përfundoi duke deklaruar se SHBA dhe Kina janë vendet më të rëndësishme dhe më të fuqishme në botë, ndaj bashkëpunimi mes tyre mund të arrijë shumë gjëra të mëdha dhe të dobishme për të dy vendet dhe mbarë botën. Ai përmendi gjithashtu se ka sjellë me vete përfaqësues të shquar nga komuniteti amerikan i biznesit, që e respektojnë dhe e vlerësojnë shumë Kinën, duke i inkurajuar ata në mënyrë aktive të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre me Kinën.
Liderët e dy shteteve shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi çështje të rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale, përfshirë situatën në Lindjen e Mesme, krizën në Ukrainë dhe Gadishullin Korean. Ata ranë dakord të mbështesin njëri-tjetrin në organizimin me sukses të Takimit Informal të Liderëve të APEK këtë vit dhe Samitin G20. Gjatë bisedimeve, Trump i prezantoi Xi Jinpingut një nga një bashkëpunëtorët e tij të biznesit që e shoqëronin. Përpara bisedimeve, Xi Jinping mbajti një ceremoni mirëseardhjeje për Trumpin në sheshin e hyrjes lindore të Sallës së Madhe të Popullit në Pekin.





