Shkup, 14 maj – Katër ditë para protestës së paralajmëruar për të hënën në Shkup, në mbështetje të kërkesës që studentët shqiptarë të kenë të drejtë t’i nënshtrohen provimit të Jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, organizatorët e protestës – sot do të mbajnë një bashkëbisedim publik me studentët e Universitetit “Nënë Tereza”.
Sipas njoftimit të publikuar nga përfaqësuesit studentorë të UNT-së, takimi do të mbahet më 14 maj, me fillim nga ora 14:00, në hapësirat e universitetit, salla B-102.
Në këtë bashkëbisedim pritet të diskutohet për zhvillimet e fundit rreth çështjes së provimit të Jurisprudencës, kërkesat e studentëve shqiptarë dhe organizimin e protestës së paralajmëruar për të hënën.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të studentëve, duke theksuar se “zëri i studentëve ka rëndësi” dhe se ky debat synon të unifikojë qëndrimet dhe veprimet në mbrojtje të të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në proceset akademike dhe profesionale.
Studentët dhe organizatorët e protestës insistojnë se përdorimi i gjuhës shqipe në këtë proces nuk është privilegj, por e drejtë ligjore dhe kushtetuese, duke iu referuar edhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe parimit të barazisë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. (koha.mk)





