Përfaqësuesi politik i VLEN-it dhe figura publike, Haqim Ramadani, ka dhënë një deklaratë të fortë ku është ndalur te raporti i tij me qytetarët, veçanërisht ata të Komunës së Bërvenicës.
Ai theksoi se banorët e njohin mirë rrugëtimin e tij politik dhe qëndrimet e tij para dhe pas zgjedhjeve.
“Unë jam ai që çdo gjë e them troç, me përgjegjësi dhe ndershmëri. Jam i njëjti para dhe pas zgjedhjeve,” u shpreh Ramadani.
Ai shtoi se shpesh popullariteti i tij ka shkaktuar edhe kundërshtime dhe përpjekje për linçim politik, por sipas tij kjo nuk e ka ndalur.
“Popullariteti ndonjëherë i pengon disa dhe mundohen në forma të ndryshme të linçojnë,” tha ai.
Megjithatë, Ramadani u shpreh mirënjohës për mbështetjen e qytetarëve, duke veçuar ata që kanë bërë qindra e mijëra kilometra për ta përkrahur, siç tha ai, për një komunë ndryshe dhe më të mirë.





