Aeroport brenda një pylli apo pyll në një aeroport?

Aeroporti Changi në Singapor, nuk është thjesht një nyje transporti. Ai është një fenomen arkitekturor që ka fituar katërmbëdhjetë herë çmimin Aeroporti më i Mirë në Botë”.

Për shumë udhëtarë, kalimi përmes tij ngjan më shumë me një shëtitje në një qytet futurist sesa me procedurat e lodhshme të fluturimit.

Me ujëvarën më të lartë të brendshme në botë dhe kopshte të harlisura, Changi ka sfiduar kufijtë midis infrastrukturës funksionale dhe parajsës natyrore.

Edhe pse tërheq shumë vëmendjen “Jeëel Rain Vortex” dhe kopshti i fluturave, suksesi i vërtetë i Changi-t qëndron te “prapaskenat”.

Sipas Max Hirsh, ekspert i zhvillimit të aeroporteve, Changi ka sukses sepse e trajton efikasitetin si një projekt të vazhdueshëm.

Ndërsa terminalet e tjerë në botë përballen me radhë të gjata dhe dështime logjistike, në Changi gjithçka lëviz me precizion mjekësor.

Prapa qetësisë që ndjejnë pasagjerët, fshihet një ushtri prej 60.000 punonjësish dhe një sistem i sofistikuar i inteligjencës artificiale.

Robotë autonomë pastrojnë dyshemetë, ndërsa analizat parashikuese eliminojnë pengesat përpara se pasagjerët t’i vërejnë ato.

Prioriteti është i qartë: efikasiteti i pari, atmosfera e dyta dhe spektakli i treti.

Në vitin 2024, Changi u bë i pari aeroport që zbatoi plotësisht kontrollin e migracionit pa pasaportë, duke përdorur vetëm biometrinë e fytyrës dhe syve.

Ky kalim drejt automatizimit nuk është vetëm çështje prestigji, por edhe pragmatizmi.

Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në Singapor, teknologjia ka marrë përsipër detyrat më të vështira.

Për të qëndruar përpara rivalëve, aeroporti ka krijuar “Terminalin X”, një laborator inovacioni që teston ide guximshme, si dronët që mbrojnë pistat nga rrufetë.

Ky fiksim pas përsosmërisë daton që nga vitet 1970, kur kryeministri Lee Kuan Yeë e pa aeroportin si kartëvizitën kryesore të shtetit të ri të Singaporit.

Vetë mënyra e ndërtimit të Changi-t është i orientuar drejt reduktimit të stresit të pasagjerëve.

Gjetja e rrugës është intuitive, tualetet monitorohen në kohë reale me ekrane vlerësimi, dhe hapësirat janë projektuar që të mos ndjehet kurrë mbipopullimi.

Atraksionet si kinemaja falas 24/7, kopshtet e kaktuseve dhe zonat e reja të fitnesit shërbejnë edhe si strategji për të shpërndarë fluksin e njerëzve nëpër terminale.

Udhëtarët mund të kujtojnë ujëvarën madhështore, por arsyeja pse ata kthehen është besimi se në Changi, gjithçka funksionon ashtu siç pritet.

Ky aeroport ka dëshmuar se udhëtimi sot nuk ka pse të jetë një sfidë durimi, por mund të jetë pjesa më e bukur e pushimeve. /tesheshi.com/

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit