Pirro Vengu takon studentët shqiptarë: Kauza e tyre, çështje e të drejtave europiane

ish-ministri i Mbrojtjes dhe aktualisht deputet i Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Pirro Vengu, ka vlerësuar lart angazhimin e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar takimin me ta si një moment që rikthen besimin për të ardhmen. Në një postim publik, Vengu theksoi se studentët nga tre universitetet e Tetovës kanë dëshmuar dinjitet, kurajë dhe qytetari, duke ngritur zërin prej muajsh për çështje që lidhen me të drejtat e tyre themelore, shkruan gazeta KOHA.

“Takimi me studentët shqiptarë të tre universiteteve të Tetovës ishte një moment që të rikthen besimin tek e ardhmja. Plot dinjitet, kurajë dhe qytetari ata ngrenë zërin prej muajsh, jo vetëm për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore, duke e kthyer kauzën e tyre në një çështje të madhe të drejtash europiane për gjithë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, theksoi Vengu.

Sipas tij, kjo kauzë tashmë tejkalon një kërkesë të thjeshtë teknike dhe shndërrohet në një çështje më të gjerë të standardeve europiane dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Deputeti shqiptar nënvizoi se brezi i ri po dëshmon pjekuri dhe vizion në mënyrën se si artikulon kërkesat e tij, duke e mbrojtur identitetin me mjete demokratike dhe të qytetëruara.

“Një brez që di të mbrojë identitetin dhe dinjitetin e vet me maturi e vizion meriton gjithë mbështetjen tonë”, u shpreh ai.

Deklarata e Vengut vjen në një kohë kur çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore për studentët e Jurisprudencës ka nxitur reagime dhe mobilizim të gjerë në mesin e studentëve shqiptarë në vend. Madje, javën e ardhshme, do të mbahet protesta e dytë e studentëve shqiptarë. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit