Azizi: Me BESË deri te VLEN një, rrugëtimi i bashkimit politik të shqiptarëve

Deputeti i VLEN-it Adnan Azizi ka dalë me mesazh emocional në prag të Kongresit të Bashkimit të VLEN-it, duke e cilësuar këtë moment si kulmin e një rruge të gjatë dhe sfiduese që e nisi si Lëvizja BESA.

Azizi kujtoi fillimet e lëvizjes, kur “ishim pak, por ishim të vendosur”, dhe rikujtoi rezultatin e parë elektoral të BESËS, 60.000 vota që i dhanë populli shqiptar si shenjë besimi ndaj projektit të ndryshimit. Ai nënvizoi se rruga nuk ishte pa pengesa por tha se “dorëzimi nuk është në ADN-në tonë.”

“Kur e nisëm rrugën për ta sjellë ndryshimin, ishim pak, por ishim të vendosur dhe me besim të plotë për ta bërë gjënë e duhur.
Këtë rrugë e nisëm me BESË.
Qëllimin tonë të sinqertë shqiptarët e kuptuan menjëherë.
Që në zgjedhjet e para, ata i dhanë 60.000 vota Lëvizjes BESA për ta sjellë ndryshimin në skenën politike.
Shumëkush do të dorëzohej pas sulmeve të shumta nga qarqe të ndryshme, pas mosmarrëveshjeve e përçarjeve që na ndodhën rrugës.
Por ne nuk u dorëzuam, sepse dorëzimi nuk është në ADN-në tonë”, shkruan Azizi.

Pika e kthesës, sipas tij, ishte fitorja e Tetovës, e papritur për shumë, por e domosdoshme për të vërtetuar se projekti kishte rrënjë të forta. Nga ajo pikë, dora e shtrirë për pajtim dhe bashkëpunim hapi rrugën drejt koalicionit VLEN dhe, sot, drejt bashkimit të plotë organizativ.

“I përveshëm krahët, punuam fort, folëm me çdo shqiptar, trokitëm në çdo derë, bashkuam zemra dhe ide.
Fillimisht, fituam Tetovën kur askush nuk e priste.
Pastaj, e shtrimë dorën e pajtimit dhe bashkëpunimit, për të mirën e këtij populli dhe për ta rrëzuar regjimin.
Dhe sot, ja ku na solli BESA dhe vizioni ynë: në ditën e bashkimit më të madh politik të shqiptarëve.
Sot e themi pa mëdyshje se ia vlejti. Ia vlejti sakrifica, mundi dhe përkushtimi.
Sot VLEN bëhet NJË!”, publikoi Azizi.

Kongresi i Bashkimit i VLEN po mbahet sot, më 9 maj 2026, në Ditën e Europës, një datë simbolike që nënvizon orientimin euroatlantik të koalicionit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit