Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, ka njoftuar se bashkë me Bilall Kasami dhe Bekim Qoku kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Strugës, Mendi Qyra.
Sipas Mexhitit, në takim është biseduar për zhvillimin e Strugës, investimet dhe realizimin e projekteve konkrete në interes të qytetarëve.
Ai theksoi se është diskutuar edhe për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe koordinimin brenda koalicionit VLEN, me qëllim që mbështetja për Strugën të jetë e vazhdueshme dhe konkrete.
“Struga meriton më shumë zhvillim, më shumë investime dhe më shumë mundësi për qytetarët”, ka shkruar Mexhiti.
Nga VLEN po ashtu shprehën mirënjohje për mikpritjen dhe angazhimin e kryetarit të Strugës, duke theksuar se koalicioni mbetet i përkushtuar për përkrahje ndaj komunave që, sipas tyre, punojnë me përgjegjësi dhe vizion.





