ASH: VLEN-i hesht, shqiptarët përjashtohen

Skandali në Ditën e Policisë është dëshmi e qartë se në këtë qeveri shqiptarët nuk trajtohen si të barabartë. Në listën e 12 policëve më të mirë nuk figuron asnjë shqiptar, ndërsa në aktivitetin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk u pa asnjë shkronjë në gjuhën shqipe. Sipas raportimit të Alsat, ceremonia u zhvillua pa mbishkrime në shqip, pa adresim në shqip dhe pa përfaqësim shqiptar në mesin e policëve të dekoruar.

Kjo nuk është rastësi, por është përjashtim politik dhe institucional.

Pyetja është e drejtpërdrejtë për VLEN-in. Për çfarë jeni në Qeveri, nëse nuk arrini të mbroni as gjuhën shqipe, as dinjitetin e policëve shqiptarë, as përfaqësimin minimal në institucionet e sigurisë

Shqiptarët shërbejnë çdo ditë në uniformë, rrezikojnë jetën, kontribuojnë në rendin publik dhe mbajnë përgjegjësi për sigurinë e qytetarëve. Por kur vjen koha për mirënjohje shtetërore, ata fshihen nga skena. Kur vjen koha për gjuhën shqipe, ajo injorohet. Kur vjen koha për reagim, VLEN-i hesht.

Kjo heshtje nuk është maturi. Është pajtim me nënçmimin.

VLEN-i duhet të tregojë publikisht a është pjesë e Qeverisë për të mbrojtur shqiptarët, apo vetëm për të legjitimuar vendime që i përjashtojnë ata. Sepse një partner qeveritar që nuk reagon kur gjuha shqipe zhduket nga një ngjarje shtetërore dhe kur asnjë polic shqiptar nuk vlerësohet në mesin e më të mirëve, nuk është përfaqësues, por dekor politik i pushtetit.

Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe sqarim publik për kriteret e përzgjedhjes së 12 policëve të dekoruar, si dhe për mungesën e plotë të gjuhës shqipe në aktivitetin zyrtar të Ditës së Policisë.

Institucionet e shtetit nuk guxojnë të prodhojnë përjashtim. Ato duhet të reflektojnë barazi reale, respekt për gjuhën shqipe dhe përfaqësim të drejtë të shqiptarëve.

VLEN-i le të zgjedhë. Ose të reagojë si përfaqësues i shqiptarëve, ose të pranojë publikisht se në këtë Qeveri është vetëm spektator i nënshtruar.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit