Sipas informacioneve, gjithsej në këtë fazë do të vendosen një mijë ujëmatës, ndërsa vlera e tenderit ka qenë 12 milion denarë
Urim HASIPI
Tetovë, 6 maj – Ndërmarrja Publike për Ujë dhe Kanalizim “Sharri” në Tetovë ka bërë të ditur se do të fillojë me vendosjen e ujëmatësve digjital. Në njoftimin e fundit të kësaj ndërmarrje është lëshuar edhe një paralajmërim ndaj shumë bizneseve të ndryshme të cilët nuk kanë kryer obligimet ndaj kësaj ndërmarrje.
Nga ndërmarrja më tej bëjnë të ditur se janë evidentuar edhe raste të vjedhjes së ujit. “Ndërmarrja Publike për Ujë dhe Kanalizim ‘Sharri’ njofton dhe paralajmëron të gjitha subjektet afariste, përfshirë qendrat tregtare, autolarjet, restorantet dhe çdo biznes tjetër, se janë evidentuar raste të vjedhjes së ujit dhe mos-pagesës së obligimeve ndaj ndërmarrjes. U bëjmë thirrje të gjithë shfrytëzuesve që menjëherë të ndërpresin çdo formë të keqpërdorimit dhe shfrytëzimit të paligjshëm të ujit. Në të kundërtën, ndaj të gjithë shkelësve do të ndërmerren masa të rrepta ligjore, përfshirë shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit dhe procedura ligjore në përputhje me rregulloret në fuqi. Gjithashtu, njoftojmë se ndërmarrja do të fillojë me instalimin e ujë matësve digjitalë. Në çdo rast ku do të evidentohen kyçje ilegale apo manipulime, do të veprohet pa kompromis në bazë të ligjit sepse uji është një pasuri e përbashkët dhe jetike dhe duhet t`a ruajmë dhe ta përdorim me përgjegjësi”, thuhet në paralajmërimin e Ndërmarrjes Publike për Ujë dhe Kanalizim “Sharri” në Tetovë.
Nga kjo ndërmarrje për Gazetën Koha thonë se ky projekt parasheh përmirësimin e menaxhimit të ujit përmes vendosjes së ujëmatësve të rinj, me qëllim rritjen e transparencës dhe uljen e humbjeve në rrjet. “Sipas planifikimit, do të vendosen një numër i konsiderueshëm ujëmatësish në zona të ndryshme të qytetit, duke u fokusuar kryesisht në lagjet ku ka pasur probleme të vazhdueshme me leximin e saktë të konsumit të ujit dhe humbje të pashpjeguara. Ujëmatësit do të instalohen në zonat urbane me dendësi të lartë banimi, objektet kolektive apo ndërtesa banimi, bizneset që kanë konsum më të madh të ujit, zonat periferike ku mungon kontrolli i rregullt”, bëjnë të ditur nga Ndërmarrja “Sharri”.
Po ashtu, një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet zonave ku janë evidentuar më shumë raste të keqpërdorimeve. “Bëhet fjalë në ato zona ku janë hasur lidhjet ilegale në rrjetin e ujësjellësit, aty ku ka pasur manipulime me ujëmatësit ekzistues, rastet e mosdeklarimit të saktë të konsumit nga disa subjekte sepse analizat paraprake tregojnë se rastet më të shpeshta të keqpërdorimeve janë regjistruar në zonat periferike dhe në disa biznese që nuk kanë qenë të pajisura me sisteme të kontrollit modern. Me këtë investim synohet rritja e efikasitetit në faturim, reduktimi i humbjeve teknike dhe komerciale, përmirësimi i shërbimit ndaj qytetarëve, vendosja e një sistemi më të drejtë dhe transparent për të gjithë konsumatorët. Ky është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të rrjetit të ujësjellësit dhe garantimit të një menaxhimi më të mirë të burimeve ujore”, kanë sqaruar për Gazetën Koha nga Ndërmarrja Publike për Ujë dhe Kanalizim “Sharri” në Tetovë.
Sipas informacioneve, gjithsej në këtë fazë do të vendosen një mijë ujëmatës, ndërsa vlera e tenderit ka qenë 12 milionë denarë. Me fillimin e vendosjes së ujëmatësve, sipas informacioneve, komuna është tërhequr nga dhënia në menaxhim përmes Partneritetit Publiko-Privat e ujit në Tetovë. (koha.mk)





