Azir Aliu
Para, gjatë dhe pas Ditës Ndërkombëtare tëPunëtorëve, hapësira mediatike dhe publike çdo vit mbushet me fjalë që i shqiptojmë me intensitet të ndryshëm: punë, pagë, dinjitet, të drejta e siguri. Qëllimi pas këtyre mesazheve është i mirë, të rikujtohet nevoja për respektimin e punëtorit dhe avancimin e dinjitetit të tij të përgjithshëm në sistem. Por, çfarë do të thotë në të vërtetë të respektosh punëtorin?
Kujtesa dhe përvoja jonë kolektive e lidhin më shpesh respektin për punëtorin me nivelin e pagës, orarin e punës, të drejtën për pushim, sigurinë sociale dhe zërin e tij në shoqëri. Por në kohën në të cilën jetojmë, kjo nuk mjafton më. Punëtori nuk është vetëm një kategori ekonomike, as një numër në statistikat e produktivitetit të proceseve ku merr pjesë me punën e tij. Ai është një njeri me trup që lodhet, me zemër që reagon ndaj presionit, me mushkëri që thithin ajrin që ne ia lëmë, me një familje ku duhet të kthehet jo vetëm i paguar mjaftueshëm, por edhe i shëndetshëm.
Pikërisht për këtë arsye, shëndeti i punëtorit nuk përfundon me pagën. Kjo fjali sot ka më shumë peshë se më parë, sepse kushtet në të cilat punohet po ndryshojnë më shpejt se zakonet tona dhe refleksionet institucionale. Ajo që dikur e quanim “kushte të vështira klimatike”, sot gjithnjë e më shpesh po shndërrohet në rrezik shëndetësor. Nxehtësia nuk është më vetëm një temë klimatike për të cilën flitet në muajt e verës, por një temë e punës, e sigurisë publike, e mjekësisë urgjente dhe e shëndetit parandalues.
Kriza klimatike për një kohë të gjatë është perceptuar si çështje e natyrës: e pyjeve, lumenjve, bujqësisë, energjetikës dhe mjedisit jetësor. Por gjuha e saj më konkrete gjithnjë e më shpesh nuk është ajo e raporteve klimatike, por gjuha e trupit të njeriut: dehidratim, lodhje ekstreme, goditje nga nxehtësia, përkeqësim i sëmundjeve kronike, puls i përshpejtuar, vështirësi në frymëmarrje, përqendrim i dobësuar, rrezik më i madh për lëndime.
Me fjalë të tjera, kriza klimatike po bëhet pjesë e diagnozës shëndetësore të kohës sonë.
Ajo nuk vjen njësoj te të gjithë ne; secili përballet me pasojat e saj në mënyrë të ndryshme, të individualizuar. Pasojat i ndjejnë të parët ata që nuk kanë privilegjin të strehohen lehtë: punëtori i ndërtimit që qëndron mbi beton që reflekton nxehtësinë; bujku që nuk mund ta shtyjë punën sepse prodhimi ndjek ritmin e natyrës, jo ritmin e nevojave sociale të njeriut; korrieri, punëtori i rrugës, zjarrfikësi, polici, punëtori në një hapësirë industriale, por edhe punonjësi shëndetësor i cili, në ditë me presion të shtuar, e ndjen nxehtësinë jo vetëm si temperaturë, por edhe si barrë shtesë mbi sistemin.
Në zyrë, vala e të nxehtit shpesh është një shqetësim që mund të rregullohet me kondicioner, punë nga shtëpia ose ndryshim të ritmit ditor. Në kantier, në arë, në rrugë, në një impiant prodhimi apo në një mjet pa kushte të përshtatshme, ajo bëhet diçka shumë më serioze: pjesë e vetë kushteve në të cilat kryhet puna.





