Zv/kryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, mori pjesë në takimin rajonal të komunave të Pollogut në Gostivar, i cili iu kushtua pjesëmarrjes rinore në nivel lokal.
Takimi, i organizuar nga Komuna e Gostivarit me mbështetjen e RYCO, synoi shkëmbimin e përvojave dhe ndërtimin e mekanizmave funksionalë për përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje .
Në fjalën e tij, Qamili theksoi se Komuna e Tetovës tashmë ka bërë hapa konkretë në këtë drejtim. Sipas tij, nën udhëheqjen e kryetarit Bilall Kasami, Komuna e Tetovës ka institucionalizuar përfshirjen rinore dhe ka rritur bashkëpunimin me të rinjtë përmes projekteve konkrete.
“Rinia tashmë është pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes. Këshilli Rinor Lokal funksionon, ndërsa Qendra Rinore është themeluar dhe po punon për zhvillimin e politikave dhe aktiviteteve për të rinjtë”, deklaroi Qamili.
Takimi rajonal mblodhi përfaqësues të komunave, organizatave rinore dhe institucioneve, duke u fokusuar në funksionimin e këshillave rinorë lokalë, bashkëpunimin ndërmjet komunave dhe përfshirjen e grupeve të ndryshme të të rinjve në proceset vendimmarrëse.





