Urim HASIPI
Tetovë, 29 prill – Në një kohë me mjegullnajë të dendur, diku mes kohës historike dhe mitike, nis të marrë jetë romani “Misteret e Hamamit” të Ismail Arsllanit, një autori tetovar tashmë të dëshmuar në këtë zhanër letrar, që doli këto ditë nga shtypi, pas tre romaneve të tij të mëparshëm. Romani zhvillohet në një kasaba osmane në shekullin XIX dhe hapet me ndërtimin e një Hamami pranë një ure të vjetër, e cila mbart legjenda të errëta dhe mallkime. Që në fillim, ndërthurja mes historisë, mitit dhe misterit krijon një atmosferë enigmatike. Pikërisht, kjo ide misteri që do të jetë pasojë e një korrupsioni gjatë ndërtimit të hamamit do ta përshkojë fundekrye romanin në të gjitha linjat narrative, duke përfshirë gjithë personazhet, tipologjia e të cilëve ndërtohet në këtë habitus të shekullit XIX, të përshkruar me aq elegancë detajesh nga autori, thotë kritiku letrar, Bardhyl Zaimi, në recensionin e tij mbi këtë roman. Personazhet vegjetojnë mes botës së dukshme dhe të padukshme, mes hapësirës normale fizike: konakut, urës, hamamit dhe hapësirës misterioze të lozhës dhe simboleve sekrete. Ata do të vegjetojnë mes botës së përndritur të racionales, urtësisë dhe botës së mallit, kujtesës, dashurisë së pamundur, që shfaqet si esence jetësore, sidomos në profilin dual të Agshës, rrugëtimi i së cilës në roman i ka të gjitha ngjyrat e një personazhi që mbruhet në ekzistencializëm, në gjithë ato dilema jetësore dhe ngërçe të pafundme vetënjohjeje, thekson Zaimi, duke shtuar se në kufijtë e romanit historik, romani “Misteret e Hamamit” e merr lëndën historike për të eksploruar më pastaj me ngjyrimet e realitetit të një kohe tjetër, duke e transponuar atë në gjendje njerëzore, në fate personazhesh, që përvijohen në situata të ndryshme jetësore, të vendosura në një hartë, në të cilën nëpërduken kasabaja, Stambolli, Dardania e dikurshme, Vjena dhe topose të tjera letrare, që i japin atmosferë autentike romanit.
Për sa kohë që romani “Misteret e Hamamit” të autorit tetovar Ismail Arsllani, eksploron me idenë e pushtetit të padukshëm, me idenë identitetit dhe misterit, personazhet formësohen si bartës të tensioneve të brendshme. Agsha është personazhi që reziston në gjithë planimetrinë e kanonit, duke tejkaluar momentet absurde të jetës së saj përmes një kërkimi të brendshëm për të bukurën. Në një kohë kur të tjerët kërkojnë pushtet apo shpëtim, ajo kërkon kuptim.
Në strukturën narrative të romanit, një vend qendror zë dimensioni i dashurisë, gjithnjë jo si një ndjesi e shpërfaqur, përkundrazi gjithnjë si një mungesë, si një arrati. Por, pavarësisht kësaj, ajo mbetet aty për të dëshmuar praninë e vet, njashtu siç theksohet edhe në roman: “Disa dashuri nuk vdesin, thjesht pushojnë së foluri”. “Misteret e Hamamit” shpërfaq idenë qendrore të lirisë njerëzore, rrugëtimin e pafundmë për të kërkuar kuptim në botën e estetikës, të tejkalimit të ngushtive të ndryshme strukturore, që vijnë në formë kanonesh, në formë strukturore pushtetare dhe në formë kufizimesh të tjera rrethanore. Kjo jehonë ekzistence lirie, mbetet pas leximit të këtij romani, që në gjithë planimetrinë narrative, në tipologjinë e personazheve vjen për ta na dëshmuar mjeshtërinë e autorit, në shpërfaqjen e një bote sa historike, po aq ekzistenciale, thellësisht filozofike në esencën e vet, vë në dukje recensuesi Bardhyl Zaimi.





