Restaurimi i Parkut të Qytetit në Kumanovë është lënë në gjysmë ndonëse hapsira ka marrë pamje të re pas punimeve që u kryen aty së fundmi. Megjithatë, kanë mbetur ende punë për tu bërë. Disa nga shqetësimet kryesore të banorëve janë mungesa e ndriçimit publik, mungesa e ulëseve dhe këndi i lojërave për fëmijët. Komuna e Kumanovës nuk ka plan konkret për zgjidhjen e këtyre problemeve, shkruan Portalb.mk.
Përveç problemeve infrastrukturore, qytetarët ankohen edhe për mosmirmbajtje të parkut.
Jeton Ismaili, banor i Kumanovës për Portalb.mk, thotë se kërkesat e qytetarëve duhet të merren më seriozisht dhe parku të rregullohet. Ai tha se shpeshherë kur del të ecë në park, nuk ka mundësi ku të ulët për të pushuar.
“Përveç mungesës së ulëseve, mungesa e ndriçimit është problem tjetër i parkut të qytetit, ku tani gjatë stinës së verës, nuk do të jenë kushtet e duhura për të vizituar parkun edhe gjatë natës, sidomos me fëmijë, pasi gjatë natës për shkak mungesës së ndriçimi, parku bëhet edhe një strehë e qenve endacak”, tha Ismaili.




