300 punësime të reja në shëndetësi/ Mungesë e theksuar e mjekëve dhe infermierëve

Shkup, 25 prill Zhurnal.mk – Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka theksuar se vendi përballet me mungesë serioze të kuadrit shëndetësor, përfshirë mjekë, infermierë dhe staf teknik, duke paralajmëruar masa konkrete për përmirësimin e situatës.

Në një deklaratë për TVM2, ai bëri të ditur se shumë shpejt do të hapen 300 vende të reja pune për mjekë, ndërsa paralelisht po bëhen analiza për nevojat reale për infermierë.

“Shumë shpejt do të hapim 300 punësime të reja për mjekë dhe njëkohësisht po analizojmë sa infermierë na duhen. Jemi të vetëdijshëm se pa infermierë funksionalë, sistemi shëndetësor nuk mund të ofrojë shërbim cilësor për qytetarët”, deklaroi Aliu.

Ai theksoi rolin kyç të infermierëve në sistemin shëndetësor, duke i cilësuar ata si pikën e parë të kontaktit mes qytetarëve dhe institucioneve shëndetësore.

Ministri njoftoi gjithashtu se është në përgatitje një ligj i ri për profilizimin e infermierëve në institucionet shtetërore. Sipas tij, një grup punues tashmë ka përgatitur draft-versionin, i cili pritet të shqyrtohet me të gjitha palët e interesuara dhe të hapet për konsultim publik.

“Ligji synon të rregullojë më qartë rolin dhe përgjegjësitë e infermierëve, si dhe të krijojë standarde për funksionimin e tyre në sistemin publik”, tha Aliu.

Ai shtoi se institucionet po punojnë drejt ndërtimit të një sistemi shëndetësor më efikas, me standarde bashkëkohore evropiane dhe shërbime më cilësore për qytetarët.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit