Profesoresha Boshkov: Kriza në Lindjen e Mesme nuk pritet të ndikojë negativisht në turizmin vendor

Ohër, 25 prill Zhurnal.mk – Profesoresha e Fakultetit për Turizëm dhe Logjistikë Biznesi në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, Tatjana Boshkov, vlerëson se konflikti në Lindjen e Mesme nuk pritet të ketë pasoja negative për turizmin vendor, madje mund të krijojë mundësi të reja për zhvillim.

Në një deklaratë për TV21, ajo theksoi se, edhe pse kriza ndikon në tregti, transport dhe turizëm globalisht, nuk pritet një ndalim i lëvizjes turistike, por më tepër një ridrejtim i udhëtarëve drejt destinacioneve të tjera.

“Nuk mund ta mohojmë që konflikti ndikon në turizëm, por kjo situatë mund të sjellë një ridrejtim të turistëve nga Lindja e Mesme drejt destinacioneve të tjera. Kjo është një mundësi që duhet shfrytëzuar për promovimin e vendit tonë”, deklaroi Boshkov.

Ajo shtoi se kriza aktuale duhet parë edhe si shans për të rritur prezencën turistike të vendit në tregjet ndërkombëtare.

Ndërkohë, të dhënat e fundit tregojnë rritje të numrit të turistëve në Maqedoninë e Veriut. Në dy muajt e parë të këtij viti janë regjistruar gjithsej 101.587 turistë, prej të cilëve 65 mijë të huaj dhe 36 mijë vendas, që paraqet rritje prej rreth 6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, turistët më të shumtë të huaj vijnë nga Turqia, Greqia, Serbia dhe Gjermania, ndërsa është regjistruar edhe rritje e numrit të netëve të kaluara, që arrin në 198.635 gjithsej.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit