Analisti politik, Sefer Selimi, ka reaguar pas lajmit të publikuar në media, ku në fokus është ministri i Shqipërisë, Hoxha për të cilin thuhet se “i ka quajtur idiotë shqiptarët e Maqedonisë”.
Ai thotë se akuza e ministrit Hoxha nuk është ndaj të gjith shqiptarëve, por ndaj politikanëve shqiptarë në Qeveri.
Ja statusi i plotë i analistit Sefer Selimi:
Po përhapet një konstrukt informativ që ka për qëllim të nxisë urrejtje ndaj kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe përfaqësuesve të shtetit shqiptar, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut duke aluduar se në një komunikim intern të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë ku është diskutuar një tekst fyes nga një medium nacionalist ndaj Kryeministrit Rama, ku ministri Hoxha paska pyetur: “Po ata ‘idiotët shqiptarë’ atje, çfarë thonë?”
“Idiotët shqiptarë” këndej në Maqedoninë e Veriut nuk janë ata që kritikojnë por ata që janë shndërruar në zgjatim të agjendave të huaja politike, disa me aprovim të hapur dhe disa me heshtje “intelektuale”.
Janë ata shokët e Aleksandar Nikoloski, mik shtëpie i Ilir Metës, i cili merr guximin të shpifë në mes të Parlamentit të RMV kundër kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe ata tinëz kënaqen.
“Idiotët shqiptarë” këtej kufirit janë ata që akuzojnë ambasadorin e Shqipërisë se bën “politikë ditore”, ndërkohë që nuk arrijnë të kuptojnë dallimin mes përfaqësimit shtetëror dhe servilizmit partiak.
Janë ata që vrapojnë te Hristijan Mickoski për t’u ankuar se Shqipëria po ndërhyn në punët e brendshme, ndërkohë që heshtin kur u cenohen të drejtat elementare, të fituara me shumë sakrificë ndër dekada.
Ata që për “Botën Serbe” ulur këmbëkryq mes qeverisë as që guxojnë te thuan edhe një fjalë të vetme.
Janë ata që e pranojnë në heshtje ndalimin e flamurit shqiptar në mes të Tetovës, vetëm që të ruajnë privilegjet e tyre të vogla dhe të marrin ndonjë votë të VMRO-së.
Pra, po! Ka “idiotë shqiptarë” në Maqedoni. Jo sepse nuk dinë, por sepse kanë zgjedhur të jenë të tillë me vetëdije.
https://www.facebook.com/share/181hrtjNof/?mibextid=wwXIfr
Edhe nëse ministri Hoxha e ka thënë, dihet shumë mirë për kë e ka pasur fjalën./Ora24.tv




