Çfarë kontribuon më shumë në uljen e shkallës së pirjes së duhanit në vendet evropiane? Ndërsa Komisioni Evropian pohon në raportin e tij të fundit mbi pirjen e duhanit dhe përdorimin e nikotinës se kjo është për shkak të rregullave të rrepta mbi kontrollin e duhanit në BE, ekspertët dhe avokatët e konceptit të reduktimit të dëmit nga pirja e duhanit kundërshtojnë pretendime të tilla, duke theksuar se të dhënat e paraqitura nga Komisioni bazohen në kundërrregullim të pajustifikuar, kundërshtim ndaj dëshmive shkencore mbi reduktimin e dëmit nga duhani dhe autorësi të paragjykuar.
Komisioni Evropian, i cili është dega ekzekutive e Bashkimit Evropian, publikoi raportin në fillim të prillit si një vlerësim të kontrollit të duhanit në BE sipas Direktivës së produkteve të duhanit. KE në raport vërtetoi se rregullat e BE-së kanë kontribuar ndjeshëm në uljen e pirjes së duhanit.
– Që nga viti 2012, shkallët e pirjes së duhanit në BE kanë rënë nga 28 në 24 përqind në mesin e popullsisë së përgjithshme, me rënien edhe më të theksuar në mesin e të rinjve. Vdekjet e lidhura me duhanin kanë rënë gjithashtu ndjeshëm, duke reflektuar ndikimin pozitiv të rregullave më të rrepta mbi rregullimin e produkteve, ndalimet e reklamave dhe paralajmërimet shëndetësore, tha Komisioni Evropian.
Përfaqësuesi britanik për reduktimin e dëmit nga duhani, Martin Kalip, e quajti raportin “një dokument të turpshëm për BE-në”.-
Ky dokument e vlerëson rënien e vogël të prevalencës së pirjes së duhanit si një triumf dhe gabimisht ia atribuon të gjitha meritat politikave dhe ndalimeve tradicionale të duhanit”, tha Kalip.
Si krahasim, Kalip sqaron situatën me shkallën e pirjes së duhanit në Mbretërinë e Bashkuar, ku gjatë së njëjtës periudhë kohore me atë që po shqyrtohet nga KE-ja, prevalenca ra nga 20 në nëntë përqind, pasi autoritetet shëndetësore i njohën produktet alternative të nikotinës si një alternativë më pak të dëmshme dhe miliona njerëz që përdornin cigare kaluan në alternativa. Ndërkohë, në Suedi, qasja e lehtë në snusin tradicional ka çuar në një rënie të shkallës së pirjes së duhanit nga 12 përqind në më pak se pesë përqind, që paraqet pragun minimal për t’u shpallur “vend pa duhan”.
“Duke pasur parasysh se ka dhjetëra miliona përdorues të produkteve orale të nikotinës në BE, siç janë pajisjet për ngrohjen e duhanit, cigaret elektronike dhe qeset e nikotinës, vetëm të painformuarit mund të pretendojnë se ato nuk kanë kurrfarë ndikimi. Përkundrazi, kufizimet dhe ndalesat, përfshirë ndalesën për përdorimin e snusit në të gjithë BE-në, po e eliminojnë këtë ndikim pozitiv në uljen e shkallës së pirjes së duhanit”, tha Kalip.
Në vend që të mbështetej në përvojat e shembujve pozitivë në të gjithë Evropën dhe në dëshmitë shkencore që tregojnë se produktet alternative të nikotinës ndihmojnë në uljen e pirjes së duhanit, raporti i KE-së i etiketoi produktet alternative si “shkaktarë të problemeve të reja të shëndetit publik” që kuadri rregullator i BE-së duhet t’i adresojë, me shumë mundësi me ndalime të reja dhe kufizime të rrepta. Raporti përsëri përdor narrativën se produktet alternative të nikotinës janë një “portë hyrëse drejt varësisë nga nikotina” për të rinjtë, pavarësisht numrit gjithnjë e në rritje të dëshmive shkencore kundër kësaj teorie, duke përfshirë edhe përvojat e vendeve ku përdorimi i këtyre produkteve nga të rinjtë ka rënë ndjeshëm. Përvojat e tilla reale tregojnë se alternativat vazhdojnë të ulin shkallën e pirjes së duhanit tek të rriturit, kurse të rinjtë po pinë duhan më pak se kurrë.
Dr. Konstantinos Farsalinos, kardiolog dhe studiues në Qendrën e kardiohirurgjisë “Onasis” në Athinë, thotë se raporti nuk arrin të njohë asnjë nga përfitimet për njerëzit që kalojnë nga cigaret në alternativa më pak të dëmshme.
“BE-ja është kokëfortë në trajtimin e reduktimit të dëmit nga duhani si një kërcënim, kur duhet ta shohë atë si aleat. Reduktimi i dëmit është një mjet i vlefshëm për uljen e pirjes së duhanit dhe shpresoj që BE-ja së shpejti do ta kuptojë këtë dhe do ta përshtatë qasjen dhe kuadrin e saj rregullator”, tha Farsalinos.
Ekspertë të tjerë, si Dr. Fabio Beatris, drejtor shkencor i Observatorit mjekësor për reduktimin e dëmit në Itali, dhe Klajv Bejts, avokat britanik për reduktimin e dëmit nga duhani, kanë kritikuar metodologjinë e përdorur në raportin e KE-së, e cila injoron kërkimet dhe faktet më të fundit shkencore. Ata theksojnë se raporti i evaluimit nuk vlerëson asgjë në mënyrë që do t’u sillte dobi politikëbërësve në shtetet anëtare dhe ligjvënësve në Parlamentin Evropian, duke injoruar shëndetin e më shumë se 100 milionë evropianëve.



