Filipçe: Nëse shfuqizohet qeveria teknike LSDM tërhiqet nga puna për Kodin Zgjedhor

Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe i kërkon pushtetit që të tërhiqet nga shfuqizimi i Qeverisë teknike, në të kundërt kërcënon se LSDM do të tërhiqet nga puna për Kodin Zgjedhor. Këto manovra sipas Filipçes janë të palejueshme dhe nuk do t’i pranojnë. Ndërsa, rikujtoi se ky ligj ishte sjellur për zgjedhjet në vitin 2016, por me kërkesë të Hristijan Mickoskit thotë se ligji ishte kthyer edhe në vitin 2018 dhe kështu ka vlejtur edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.

“Kështu që, edhe njëherë e përsëris, pushteti duhet ta tërheq këtë ligj. Qeveria e Përzhinos, e cila është garanca e vetme në këtë formë në të cilën aktualisht ligji është në fuqi, për zhvillimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike, duhet të mbetet. Në të kundërt, tërhiqemi nga puna e Kodit Zgjedhor, nga grupi që e udhëheq Ministria e Drejtësisë”.

Në Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në të cilin ishte pikë e parë e rendit të ditës Ligji për Qeveri, u krijua situatë e tensionuar ndërmjet pushtetit dhe opozitës. Opozita u ankua se nuk kishte ulëse të mjaftueshme, ndërsa kryetari i Komisionit thoshte se sallat tjera ishin të zëna me komisione të tjera. Ndërsa gjithashtu opozita maqedonase kërkoi që kjo pikë të hiqej nga rendi i ditës dhe seanca u ndërpre.

Ndërkohë, Komisioni Juridiko-Ligjvënës, në të cilën gjithashtu në rend dite ishte edhe ligji për Qeveri, u anulua, dhe për vazhdimin e së njëjtës kryetari i Komisionit Aleksandar Veljanovski, tha se do ketë njoftim me kohë.

Ndërkohë edhe Fronti Evropian është deklaruar kundër heqjes së Qeverisë teknike. Deputetja Arbana Pasholli, tha se Qeveria teknike është arritur me marrëveshje politike dhe me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve dhe se e njëjta mund të zhbëhet vetëm në mënyrën e njëjtë.

Deri më tani, Maqedonia e Veriut ka pasur tre Qeveri teknike. E para në vitin 2016 u drejtua nga Emil Dimitriev i VMRO-DPMNE-së, e dyta në vitin 2020 e udhëhequr nga Oliver Spasovski i LSDM-së dhe e treta në vitin 2024 e udhëhequr nga Talat Xhaferi i BDI-së.

Qeveria teknike formohet 100 ditë para zgjedhjeve, kryeministri duhet të jap dorëheqje dhe Qeveria të propozoj një kryeministër tjetër, dy ministra tjerë dhe tre zëvendësministra duhet të propozohen nga opozita. Këtu përfshihet ministri i Punëve të Brendshme dhe Ministri i Politikës Sociale dhe tre zëvendësministra shtesë duhet të jenë në Ministrinë e Financave, Bujqësisë dhe Administratës Publike.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit