Struga po hyn në një fazë të re zhvillimi, me investime që arrijnë vlerën e rreth 9 milionë eurove. Kryetari i komunës, Mendi Qyra, ka bërë të ditur se aktualisht janë në realizim 5 projekte të mëdha, ndërsa 3 të tjera janë në fazën përgatitore.
Në një aktivitet të përbashkët me Kryeministrin Hristijan Mickoski dhe Ministrin e Mjedisit, Muhamet Hoxha, u vendos gurthemeli për ndërtimin e sistemit të ri të kanalizimit në Vranishtë –
një investim që kap vlerën mbi 91 milionë denarë dhe që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Paralelisht, nga afër është ndjekur edhe ecuria e punimeve në rrugën turistike, si dhe ndërtimi i rrugës dhe shëtitores nga AS Kampet deri te lumi Sateska, projekte që synojnë të transformojnë infrastrukturën urbane dhe turizmin në qytet.
Sipas Qyrës, këto investime janë dëshmi e bashkëpunimit të suksesshëm mes pushtetit lokal dhe atij qendror, duke theksuar se fokusi mbetet te zhvillimi konkret: më shumë punë dhe më pak fjalë, për një Strugë më moderne dhe më të jetueshme për të gjithë.



