Aliu: Vazhdon angazhimi për avancimin e infrastrukturës shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi Spitalin Psikiatrik Negorcë – Gjevgjeli me rastin e përfundimit të rikonstruimit të plotë të repartit për pacientë kronikë.
“Infrastruktura shëndetësore është një nga shtyllat e sistemit dhe për këtë arsye angazhohemi për përmirësimin e saj dhe për kushte më të mira për trajtimin dhe kujdesin e pacientëve. Rikonstruksioni në Spitalin Psikiatrik Negorcë përfshiu rinovim të plotë të konstruksionit të çatisë, dyer dhe dritare të reja, si dhe riparim të fasadës izoluese. Është realizuar edhe rikonstruksion i plotë i brendshëm, rinovim i banjove dhe nyjeve sanitare, si dhe vendosje e kolektorëve solarë dhe ngrohje e ujit me ndihmën e burimeve të rinovueshme të energjisë. Me këtë investim janë siguruar kushte më cilësore për akomodimin e pacientëve”, theksoi ministri Aliu gjatë vizitës.
Drejtori i institucionit, Sashko Stojilovski, theksoi se bëhet fjalë për një objekt me sipërfaqe prej 550 metrash katrorë, ndërsa vlera totale e investimit është mbi 16 milionë denarë.
“Ky projekt ka pritur të realizohet rreth shtatë vjet, ndërsa në vitet e kaluara të gjitha vërejtjet nga institucionet ndërkombëtare kanë qenë të adresuara pikërisht ndaj kushteve në këtë repart. Së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë kemi bërë përpjekje për përgatitjen e projektit dhe realizimin e tij, duke i ngritur në një nivel më të lartë standardet e trajtimit në institucionin tonë”, tha Stojilovski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit