Maqedonia është vendi i parë nga Evropa që ka një lloj të tillë dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi një deklaratë të përbashkët të harmonizuar për tarifat doganore, ndërsa janë konfirmuar edhe disa investime që pritet të realizohen në të ardhmen, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski. Ai shtoi se vendi, në kuadër të këtij partneriteti, trajtohet si partner i barabartë. Në këtë mënyrë, sipas tij, jemi një hap më afër në marrëdhëniet bilaterale.
– Së pari, është e rëndësishme që jemi në një nivel shumë të lartë. Praktikisht, zoti Landau është personi i dytë në kuadër të Departamentit të Shtetit dhe ai udhëheq delegacionin amerikan. Ai është zëvendës i sekretarit të shtetit Marco Rubio. Gjatë ditës së djeshme u hapën shumë tema nga fusha e mbrojtjes, transformimit digjital, energjetikës… dhe sigurisë, natyrisht. Nga ajo që mund ta shihni edhe ju, vetë Departamenti i Shtetit, Shtëpia e Bardhë, por edhe zoti Landau, e theksojnë qartë rolin e shtetit tonë në kuadër të këtij partneriteti, se bëhet fjalë për partnerë të barabartë dhe se e vlerësojnë seriozisht atë që ne bëjmë si shtet, si në kuadër të NATO-s ashtu edhe në organizata të tjera ndërkombëtare, tha Mickoski.
Sipas tij, është mirë të përmendet edhe fakti që ne jemi shteti i parë nga Evropa që kemi një dialog të tillë strategjik në këtë nivel.
– Ne kemi një deklaratë të përbashkët të harmonizuar sa i përket tarifave doganore. Ajo është konfirmuar. Janë konfirmuar edhe disa investime të tjera që pritet të realizohen, kështu që tani jemi një hap më afër në marrëdhëniet tona bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partneri ynë strategjik në rajon, tha Mickoski në përgjigje të një pyetjeje gazetareske pas vizitës në komunën e Shuto Orizarit.
Ai theksoi se është rënë dakord për bashkëpunim në disa fusha si energjetika, siguria dhe mbrojtja.
– Ka edhe pjesë që lidhen me sigurinë. Tani ka gjëra që nuk mund t’i përmend publikisht, por një pjesë e tyre lidhen me shkëmbimin e informacioneve dhe besoj se ato do të jenë shumë të dobishme dhe do ta rrisin ndjeshëm cilësinë e punës së këtyre dy institucioneve, deklaroi kryeministri Mickoski.



