Shkup, 7 prill 2026 – Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të cilin zëdhënësja e Qeverisë Venera Azizi e konsideroi si një reformë historike që adreson një çështje të hapur prej më shumë se dy dekadash.
Ajo bëri të ditur se ligji është rezultat i një procesi serioz, të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës, ku janë respektuar standardet më të larta juridike dhe demokratike. Sipas saj, gjatë hartimit të ligjit janë marrë parasysh edhe opinionet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Me këtë vendim, Qeveria konfirmon përkushtimin e saj për ndërtimin e institucioneve funksionale, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, të mbështetura në vlera
dhe standarde evropiane”, theksoi Azizi.
Ajo shtoi se me miratimin e këtij ligji mbyllet një boshllëk i gjatë institucional dhe hapet një kapitull i ri në garantimin e barazisë dhe përfaqësimit dinjitoz për të gjithë qytetarët.



