Shkup, 6 prill, Zhurnal.mk – Kreu i Komuna e Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar për përfundimin e rikonstruksionit të plotë të rrugës “Josif Mihajlloviq” në lagjen Dyqanxhik, shkruan Zhurnal.mk.
Sipas tij, projekti ka nisur nga infrastruktura bazë, duke përfshirë rregullimin e kanalizimit fekal dhe atij atmosferik, si dhe rrjetit të ujësjellësit, me qëllim krijimin e kushteve moderne për banorët e kësaj zone.
“Rikonstruksioni i plotë i rrugës ‘Josif Mihajlloviq’ në lagjen Dyqanxhik u realizua me sukses. Nisëm nga baza. Rregulluam kanalizimin fekal dhe atmosferik, si dhe rrjetin e ujësjellësit, duke krijuar kushte moderne infrastrukturore për banorët e Dyqanxhikut. Projekti u përmbyll me asfaltimin e plotë të rrugës”, theksoi Mexhiti.
Ai bëri të ditur se bëhet fjalë për një sipërfaqe prej rreth 500 metrash katrorë të transformuar plotësisht, duke mundësuar lëvizje më të lehtë dhe më të sigurt për qytetarët.
“500 m² rrugë tërësisht e transformuar. Lëvizje më e lehtë. Më e sigurt. Cilësi më e mirë jetese. Kjo është qasja jonë. Punë që preket. Investime që ndihen. Rezultate që shihen në çdo lagje të Çairit”, deklaroi Mexhiti.
Nga Komuna e Çairit theksojnë se investime të tilla do të vazhdojnë edhe në lagje të tjera, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës për qytetarët.



