Mickoski: Me vendimin e djeshëm të Qeverisë, Komisioni Rregullator do të ulë akcizat për dizelin për 4 denarë për litër, ndërsa për benzinat 2 denarë për litër

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjes gazetareske lidhur me atë se sot priten çmime të reja të karburanteve nga Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe se çfarë efekti pritet nga ulja e akcizës së karburantit, deklaroi:

„Epo ne me vendimin e djeshëm të Qeverisë, praktikisht mundësuam që Komisioni Rregullator sot të ulë akcizat për dizelin për 4 denarë për litër, ndërsa për benzinat 2 denarë për litër. Gjithashtu, në bisedë me OKTA-n, personalisht bisedova edhe me udhëheqjen e OKTA-s në Athinë, por edhe me udhëheqjen e ‘Hellenik Petroleum’ dhe OKTA-n këtu në Shkup dhe arritëm të sigurojmë një periudhë shtesë prej një muaji për ato 3 denarë për litër dizel dhe 2 denarë për benzinën pa plumb. Kur e gjithë kjo do vihet në funksion, atëherë për benzinat duhet të kemi çmim edhe më të lirë se ai që është tani. Ndërsa për karburantet dizel, në pika të caktuara karburanti nuk do të duhej të kishim shtrenjtim, edhe përkundër faktit se ndodhemi në një situatë serioze dhe sfiduese në vend, por jo vetëm këtu, kudo nëpër botë.

„Nga aspekti i sasive jemi stabilë, kemi sasi të mjaftueshme, këtu nuk duhet të kemi asnjë lloj frike. Konsumi është rritur, është rritur konsumi nga rreth një milion e gjysmë litra në ditë, në dy milionë litra. Kemi presion në pika të caktuara kufitare. E vazhduam edhe masën e TVSH-së nga 18% në 10%, gjithçka me qëllim që të mbrojmë edhe standardin e qytetarëve, edhe bizneset, kuptohet.

Qëllimi ynë është të jemi faktor stabiliteti. Dhe këtë po e bëjmë. Ajo Maqedoni që dikur gjunjëzohej dhe lutej, besoni ose jo, nuk ekziston më. Tani kemi një Maqedoni që ndihmon, nga e cila kërkojnë ndihmë, e cila reflekton stabilitet në rajon, e cila është faktor stabiliteti dhe pjekurie, kjo është shumë e rëndësishme. Dhe në këtë mënyrë do të sillemi si Qeveri edhe në të ardhmen. Dhe do ta ndjekim situatën.“

„Sot në mëngjes, pasi u hapën bursat në Lindje, produktet po e ulin gradualisht çmimin e tyre. Por të shohim se si do të mbyllet dita dhe se si do të mbyllet java, në mënyrë që të kemi një lloj pike referimi rreth çmimit në bursa. Të dimë edhe se si do të jenë çmimet e produkteve, gjegjësisht të dizelit dhe benzinës pa plumb 95 dhe 98 oktanë.“

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit