Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi një takim pune me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, për të diskutuar gjendjen dhe sfidat në implementimin e projekteve IPA në sektorin e mjedisit.
Siç njoftoi Ministria për Çështje Evropiane (MÇE), gjatë takimit u konstatua se, megjithë mbështetjen e konsiderueshme financiare nga Bashkimi Evropian, realizimi i projekteve përballet me sfida serioze, veçanërisht në absorbimin e fondeve, kapacitetin administrativ dhe zbatimin e prokurimeve publike.
“U përqendrua veçanërisht tek statusi i projekteve kryesore infrastrukturore, ku u theksua se disa prej tyre përballen me vonesa, procedura tenderimi të dështuara ose kontrata të ndërprera, gjë që rrezikon realizimin dhe shfrytëzimin në kohë të fondeve. Ministrat ranë dakord se sfida kryesore nuk është në planifikim apo sigurimin e fondeve, por në implementimin efektiv të tyre, dhe se është e nevojshme të forcohen kapacitetet administrative, të përmirësohet menaxhimi i projekteve, të koordinohet më mirë ndërmjet institucioneve dhe të krijohen mekanizma për të parandaluar tenderime të dështuara”, njoftoi MÇE.



