Mickoski në vizitë politiko-ekonomike në Republikën e Hungarisë

Kryeministri i Qeverisë, Hristijan Mickoski, i shoqëruar nga një delegacion qeveritar, po qëndron në një vizitë politiko-ekonomike në Budapest, Hungari, me qëllim forcimin e bashkëpunimit bilateral dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin hungarez, Mickoski pritet të zhvillojë takim me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, ku në fokus do të jenë avancimi i marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, bashkëpunimi ekonomik, si dhe çështje aktuale rajonale dhe evropiane.

Në kuadër të vizitës, kryeministri do të marrë pjesë dhe do të mbajë fjalim në forumin e biznesit në Budapest, me titull “Dita e bashkëpunimit afarist ndërmjet Hungarisë dhe Maqedonisë së Veriut”. Ky forum synon krijimin e kontakteve të reja dhe shqyrtimin e mundësive për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet kompanive hungareze dhe atyre maqedonase.

Delegacioni qeveritar përfshin edhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e transportit dhe lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, ministrin e ekonomisë dhe punës, Besar Durmishi, sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Igor Janushev, drejtorin e Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit, Refik Xhemaili, drejtorin e Drejtorisë për Zona të Zhvillimit Teknologjik Industrial, Goce Dimovski, si dhe drejtoreshën e Agjencisë për Inovacion, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Sipërmarrje, Daniella Dimovska.

Vizita pritet të kontribuojë në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe në tërheqjen e investimeve të reja në vend.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit