Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot nis procesi gjyqësor kundër Stojançe Jovanovskit, i cili akuzohet për disa vepra penale lidhur me ngjarjen tragjike të 2 marsit, kur bashkëshortja e tij, Ivana Jovanovska, së bashku me vajzën e tyre 6-vjeçare, i dhanë fund jetës.
Gjykimi do të udhëhiqet nga gjyqtari Ivica Stefanovski, i njohur për opinionin për trajtimin e lëndëve të profilit të lartë.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari ngarkohet për lëndim trupor të kryer si vepër e vazhdueshme në kuadër të dhunës në familje, rrezikim të sigurisë, si dhe për shtytje dhe ndihmë në vetëvrasje.
Nga dëshmitë e mbledhura rezulton se në periudhën nga viti 2019 e deri në ditën e ngjarjes tragjike, Jovanovski ka ushtruar në vazhdimësi dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij, me të cilën ishte në proces divorci. Ajo, si dhe dëshmitarë të tjerë, në disa raste i kishin denoncuar incidentet në institucionet kompetente.
Prokuroria thekson se dhuna është intensifikuar gjatë viteve 2025 dhe 2026.
Në ditën e tragjedisë, i akuzuari fillimisht e kishte kërcënuar dhe sulmuar fizikisht atë pranë vendit të saj të punës, e më pas ka vazhduar me kërcënime për jetën edhe gjatë rrugës me makinë drejt gjykatës.
Në afërsi të gjykatës, ai e ka sulmuar sërish duke i shkaktuar lëndime të dukshme trupore. Më vonë, pasi morën vajzën e tyre nga shkolla, u drejtuan për në shtëpi. Ndërsa i akuzuari mbeti para ndërtesës, gruaja u mbyll në banesë bashkë me fëmijën.
Sipas aktakuzës, në gjendje të rëndë shqetësimi psikik, frike dhe ndjenje pashpresëshmërie, ajo u hodh nga ballkoni i banesës në katin e gjashtë së bashku me vajzën e saj.
Ky rast ka shkaktuar reagime të forta në opinion dhe ka hapur pikëpyetje të mëdha mbi mbrojtjen institucionale të viktimave të dhunës në familje.



