Ndahet nga jeta legjenda e muzikës greke, Marinella

Një nga këngëtaret më të mëdha të Greqisë, Marinella, ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare. Ajo pësoi një sulm të rëndë në tru në shtator 2024, i cili e detyroi të qëndronte larg skenës.

Familja e saj bëri të ditur lajmin e trishtë përmes një njoftimi zyrtar.

“Me dhimbje të madhe ju njoftojmë për humbjen e Marinellës, nënës dhe gjyshes sonë të dashur, e cila ndërroi jetë në shtëpinë e saj më 28 mars 2026 në orën 18:00.”

Sulmi në tru dhe përkujdesja në shtëpi

Marinella pësoi sulmin në tru të mërkurën, më 25 shtator 2024, ndërsa po këndonte këngën e tretë të koncertit të saj, “Ego ki esi”, në një skenë të mbushur plot.

Ngjarja shkaktoi tronditje tek publiku dhe në gjithë vendin. Pas disa muajsh trajtimi në spital, Marinella u kthye në shtëpi ku vazhdoi të marrë kujdes të vazhdueshëm nga familja, duke mos pasur kontakt me ambientin për rreth një vit e gjysmë.

Jeta dhe karriera

Marinella, me emrin e vërtetë Kyriaki Papadopoulou, lindi më 20 maj 1938 në Selanik. Që në moshë të vogël tregoi pasion për muzikën dhe debutoi në skenat e muzikës lokale në fund të viteve 1950.

Në vitin 1957 u transferua në Athinë, ku filloi bashkëpunime me krijues të njohur .

Në 1964 u martua me Stelios Kazantzidis, me të cilin krijoi hite të mëdha, por martesa zgjati deri në 1966.

Pas ndarjes, Marinella vazhdoi karrierën solo dhe u bë një nga figurat kryesore të muzikës greke, duke interpretuar krijime të kompozitorëve të mëdhenj si Manos Hadjidakis, Stavros Xarhakos, Giorgos Hatzinasios dhe të tjerë.

Në vitin 1973 prezantoi shfaqjen e parë “one-woman show” në Greqi, duke kombinuar këngën me spektaklin, një formë e re artistike për kohën. Gjatë dekadës së 70-të arriti kulmin e famës dhe njohjes së saj.

Diskografia dhe arritjet

Marinella publikoi mbi 40 albume solo dhe bashkëpunoi me emra të njohur të muzikës greke si Giorgos Dalaras, Antonis Remos, Haris Alexiou, dhe të tjerë. Këngët e saj, përfshirë “Synora i agapi den gnorizei”, “Stalia stalia” dhe “Den einai pou fevgeis”, mbeten hite të pavdekshme të muzikës greke.

Humbja e Marinellës lë një boshllëk të madh në muzikën dhe kulturën greke, duke e bërë emrin e saj të pavdekshëm ndër breza.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit