Kryeministri Mickoski: Ulja e TVSH-së do të sjellë çmime më të ulëta të karburanteve

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se ulja e TVSH-së do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e çmimeve të karburanteve dhe se situata në treg po monitorohet vazhdimisht.
“Me shumë kujdes po e ndjekim lëvizjen e çmimeve të naftës dhe derivateve të saj në bursat botërore. Për ne, bursë referuese është FOB Italia, si për benzinën pa plumb ashtu edhe për dizelin. Bazuar në përllogaritjet tona, të hënën pritet ulje prej rreth 2 denarësh për benzinat me 95 dhe 98 oktanë, ndërsa për dizelin mund të ketë çmim të njëjtë ose një rritje minimale,” tha Kryeministri Mickoski.
Ai shtoi se analiza e javës së kaluar tregon ulje të përgjithshme të çmimeve të karburanteve dhe se masa për uljen e TVSH-së po jep efekt pozitiv.
“Gjendja aktuale është stabile dhe nuk ka nevojë për masa kufizuese. Masa për uljen e TVSH-së ka afat dyjavësh dhe po jep rezultatet e saj. Pas kësaj periudhe, do të vlerësojmë nëse do të vazhdohet me të njëjtën masë apo do të ndërmerren hapa të rinj, siç është ndërhyrja në akcizë,” shtoi ai.
Qeveria do të monitorojë çmimet edhe gjatë javës së ardhshme dhe do të ndërmarrë veprime sipas lëvizjeve të tregut ndërkombëtar.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit