Drejtori i MEPSO, Burim Latifi, ka marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të ENTSO-E, e mbajtur në Bruksel, ku janë diskutuar zhvillimet kryesore në sektorin elektroenergjetik evropian.
Sipas Latifit, në këtë takim janë trajtuar çështje kyçe që lidhen me të ardhmen e sistemit energjetik, përfshirë paketën e re të rrjeteve (“Grids Package”), rolin e ENTSO-E në tregun e energjisë elektrike dhe prioritetet strategjike për periudhën në vijim.
“Në fokus ishte ‘Grids Package’, roli i ENTSO-E në tregun e energjisë elektrike dhe prioritetet e ardhshme, si dhe masat për forcimin e sigurisë së sistemit”, ka deklaruar Latifi, transmeton Zhurnal.mk.
Ai theksoi se gjatë diskutimeve është nënvizuar rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe nevoja për të përshpejtuar investimet në infrastrukturën e transmetimit, si elemente kyçe për garantimin e stabilitetit energjetik.
“U theksua qartë nevoja për bashkëpunim më të fuqishëm rajonal si dhe përshpejtimi i investimeve në infrastrukturën e transmetimit. Qëllimi ynë është i qartë, të vazhdojmë të kontribuojmë në mënyrë aktive në proceset evropiane dhe të harmonizohemi në kohë me sfidat e reja”, ka shtuar ai.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Maqedonia e Veriut në forume të tilla konsiderohet e rëndësishme për integrimin e sistemit energjetik vendor në rrjetin evropian dhe për përballimin e sfidave të tranzicionit energjetik.



