Në procedurë qeveritare është formimi i një komisioni që do të merret me thirrjen publike për gjetjen e një koncesionari i cili do të menaxhojë deponinë në fshatin Llojan, në komunën e Likovës, dhe do ta pastrojë atë nga mbeturinat e rrezikshme.
Këtë e theksoi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Rijad Shaqiri nga Aleanca e Shqiptarëve nëse ka plane për të hequr mbetjet e arsenikut në deponinë në Llojanë, e cila është në afërsi të një shkolle.
“Në komunën e Likovës në fshatin Llojanë, problemi me këto substanca nuk mund të zgjidhet për dy ose tre muaj që kur jam bërë ministër. E kam trajtuar seriozisht këtë çështje që kur kam marrë detyrën, sepse në territorin tonë ka 14 pika të nxehta. Kjo është një temë që më shqetëson çdo ditë, sepse pastrimi i tyre është shumë specifik. Sa i përket fshatit Llojanë, këto janë mbetje të rrezikshme dhe ne jemi në komunikim me Ministrinë e Energjetikës, sepse bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve dhe një problem që është trashëguar prej vitesh. Mbrojtja e mjedisit jetësor është detyrë e të gjitha institucioneve”, tha Hoxha.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Saranda Imeri Stafaj nga “Vlen” në lidhje me planet që ka Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për modernizimin e deponisë rajonale “Rusino” në afërsi të Gostivarit, ai potencoi se Qeveria është e fokusuar në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë në lidhje me deponinë.
“Në Ministri kemi informacione se me një linjë krediti nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të zbatojmë projekte për tre qendra rajonale, njëra prej të cilave do të jetë në “Rusino”. Jemi në përgatitje të dokumentacionit për këtë qendër rajonale dhe besoj se do të publikohet thirrja dhe të gjitha procedurat do të përfundojnë me sukses dhe më pas do të zgjidhet një kompani për ndërtimin e saj. Besoj se viti 2026 do të jetë viti i kthesës ekologjike, sepse në plan afatgjatë do t’i zgjidhim problemet. Gjithashtu është planifikuar të sigurohet mekanizim për të gjitha komunat në rajonin e Pollogut të cilat kanë ndërmarrje publike”, shtoi Hoxha.



