Durmishi: Do të mbrojmë qytetarët nga rritja e çmimeve

Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi siguron qytetarët që nuk do të preken nga rritja artificiale e çmimeve nga tregëtuesit të cilët tentojnë të keqpërdorin situatën e krizës globale të çmimeve. Sipas tij, po përgatiten masa për ruajtjen e buxhetit të qytetarëve qoftë me ruajtjen e stabilitetit të çmimeve të produketeve bazë ushqimore, qoftë me stabilizimin e tregut të karburanteve për çka tashmë ka masë aktive për uljen e TVSH-së.
“Me uljen e TVSH-së për naftën nga 18 në 10 përqind, kemi dëshmuar se punojmë dhe mbrojmë interesin e qytetarëve kur ka krizë në të gjithë botën. Shteti jonë ka karburantin më të lirë nga të gjithë vendet e rajonit”, deklaroi Durmishi.
Gjatë pyetjeve të deputetëve në Parlament, Durmishi tha se çmimet e produkeve bazë po monitorohen nga inspektorët e tregut, dhe për momentin nuk kanë rritje të mëdha.
“Nuk do të lejojmë që presioni, qoftë nga prodhuesit, tregtarët të bëjë presion edhe këtu. Do jemi këtu për të sjellë masa në interes të qytetarëve. Inspektorati i Tregut ka shpërndarë 30 grupe inspektorësh në gjithë shtetin dhe po bën kontrolle në të gjithë zinxhirin, prej prodhuesve, distributorëve dhe atyre që tragëtojnë dhe deri më tani nuk kemi marrë informacion se ka rritje ekstreme. Me kontrollet japim mesazhin e qartë që nuk do të tolerojmë, dhe nuk do të ketë marzhë të rritur të fitimit nga tregtarët. Nuk pretendojmë se situata është ideale, por është fakt se në një periudhë relativisht të shkurtër arritën ta stabilizojmë ekonominë dhe të krijojmë bazë për zhvillim të mëtejmë. Nëse kriza ndikon që tregtuesit ta keqpërdorin situatën në mënyrë devijuese, atëherë do të veprojmë sikurse kemi vepruar më herët edhe tani”, deklaroi Durmishi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit