A është njohja e gjuhës maqedonase e detyrueshme për shqiptarët?! Këtë pyetje kryeministrit Hristijan Mickoski ia parashtroi deputeti Skënder Rexhepi nga koalicioni Fronti Europian. Tutje shtoi se mes ministrave ishte thënë se për shkak të krizës ekonomike gjoja ishte propozuar të hiqen përkthyesit në gjuhën shqipe.
“Mediat proqeveritare së bashku me ministrat qeveritarë kohët e fundit hapën një çështje nëse në këtë krizë ekonomike ka nevojë që ministrat në Qeveri të kenë përkthyes shqiptarë dhe nëse gjuha maqedonase duhet të jetë gjuhë e detyrueshme për të gjithë qytetarët. Dhe kryeministri u ka thënë edhe ministrave shqiptarë se nëse nuk flasin maqedonisht do t’i shkarkojë”, tha Skender Rexhepi-Zejd, deputet i FE-së.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se përdorimi i gjuhës shqipe nuk e shqetëson aspak, duke theksuar se madje është duke u përpjekur ta mësojë atë.
“Përkundrazi, absolutisht nuk më shqetëson. Ndihuni të lirë të përdorni gjuhën shqipe. Madje përpiqem ta studioj dhe ta mësoj. Shpresoj që pas një viti apo më shumë të jem në gjendje të mos përdor kufje dhe ta kuptoj drejtpërdrejt atë që thuhet,” u shpreh Mickoski.
Ai shtoi se përkthimi jo gjithmonë përcjell saktë mesazhin dhe se njohja e më shumë gjuhëve është pasuri.
Këto deklarata erdhën si kundërpërgjigje ndaj deputetit Skënder Rexhepi gjatë debatit të sotëm në Kuvend.



