Incident: Kryetari i Kriva Pallankës tenton të hyjë në automjet të sekuestruar nga policia

Një incident është regjistruar pasditen e djeshme në Kriva Pallankë, ku është përfshirë edhe kryetari i komunës.

 

Rreth orës 17:45, brenda oborrit të stacionit policor në Kriva Pallankë, një njësi policore ishte duke siguruar një automjet të tipit “Renault Captur”, i cili më herët ishte sekuestruar me urdhër të prokurorit publik, në lidhje me një vepër penale sipas nenit 297-a, paragrafi 2 të Kodit Penal. Automjeti lidhej me Milan Mitovskin, i cili është vëllai i kryetarit të komunës.

 

Sipas informacioneve, në vendngjarje ka ardhur kryetari i Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, i cili ka zhbllokuar automjetin dhe ka hapur derën e shoferit, në të cilën ishte vendosur një shirit zyrtar nga teknika kriminalistike. Me këtë veprim, ai ka dëmtuar vulën zyrtare dhe ka tentuar të hyjë në automjet.

 

Policia i ka dhënë urdhër që të largohet dhe e ka penguar të marrë automjetin, i cili ishte nën sigurim. Pas ndërhyrjes së policisë, ai është larguar nga vendi i ngjarjes.

 

Rasti pritet të marrë epilog ligjor dhe të sqarohet nëse do të ketë përgjegjësi për ndërhyrje në prova zyrtare.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit