Këshilli Gjyqësor në seancën e sotme ka propozuar Meri Dika Georgievska për gjyqtare në Gjykata Kushtetuese.
Propozimi u miratua me shumicë votash, ku 10 anëtarë votuan “pro”, një ishte kundër, ndërsa gjyqtarja Antoaneta Dimovska u përjashtua nga kjo pikë e rendit të ditës.
Sipas anëtarëve të Këshillit që mbështetën kandidaturën, Dika Georgievska i plotëson të gjitha kushtet ligjore dhe profesionale për këtë funksion, duke u vlerësuar si një profesioniste me përvojë të gjatë në sistemin gjyqësor, me njohuri të thella të funksionimit të gjykatave në të gjitha nivelet dhe me integritet të lartë profesional.
Ata theksuan gjithashtu se kandidatja ka kontribuar në zhvillimin e mendimit juridik dhe në avancimin e sistemit ligjor në vend, transmeton Zhurnal.mk.
Ndërkohë, kundër propozimit votoi Suzana Joshevska Anastasovska, e cila vlerësoi se materialet e paraqitura nuk ofrojnë dëshmi të mjaftueshme dhe të pakundërshtueshme për kontribut konkret në zhvillimin e mendimit profesional dhe teorik dhe sistemit ligjor.
Ajo theksoi se një pjesë e dokumenteve të paraqitura lidhen me aktivitete që janë pjesë e detyrave të rregullta të funksionit gjyqësor dhe menaxherial.
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë gjyqtarë, të cilët zgjidhen nga radhët e juristëve të shquar, ndërsa procedura për përzgjedhjen e tyre vijon sipas dispozitave ligjore në fuqi.



