Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka përkujtuar 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, duke e cilësuar këtë ngjarje si një nga momentet më të lavdishme të luftës për liri të popullit shqiptar.
Në një ceremoni përkujtimore në Gllogjan, Ahmeti tha se ky vend përfaqëson një pikë të shenjtë të historisë kombëtare, ku u dëshmua vendosmëria për liri përballë forcave serbe.
“Sot përulemi me nderim të thellë në këtë vend të shenjtë, për të kujtuar një nga momentet më të lavdishme të luftës sonë për liri”, deklaroi Ahmeti.
Ai rikujtoi se më 28 vite më parë, familja e Hilmi Haradinaj u rrethua në Gllogjan, ndërsa bijtë e saj – Ramush, Daut, Shkëlzen dhe Enver Haradinaj – së bashku me fisin e gjerë, zgjodhën rrugën e rezistencës pa kompromis.
“Në ato çaste vendimtare nuk kishte alternativë tjetër – vetëm dy rrugë: vdekje ose liri”, theksoi ai.
Ahmeti gjithashtu përkujtoi sakrificat e mëhershme të familjes Haradinaj, duke përmendur rënien heroike të Luan Haradinajt në vitin 1997, gjatë një përpjekjeje për t’i dalë në ndihmë Adem Jasharit, në një aksion ku morën pjesë edhe luftëtarë të njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai nderoi edhe figura të tjera të luftës si Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Ilaz Kodra dhe Abedin Rexha, të cilët më vonë ranë dëshmorë gjatë luftës së viteve 1998-99.
Sipas Ahmetit, Kompleksi Memorial në Gllogjan është vendi ku prehen heronjtë e Dukagjinit – burra dhe gra që sakrifikuan jetën për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e Kosovës.
“Sakrifica e tyre nuk ishte vetëm për një tokë të lirë, por për dinjitetin dhe të drejtën e një populli të tërë”, u shpreh ai.
Në fund të fjalës së tij, Ahmeti theksoi se përkujtimi i dëshmorëve nuk është vetëm akt nderimi, por edhe zotim për të ruajtur amanetin e tyre dhe për të ndërtuar të ardhmen mbi vlerat për të cilat ata ranë.
“Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit, heronjve të Dukagjinit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, përfundoi Ahmeti.



