Ministri i Shqipërisë thotë se rishikimi i segmentit hekurudhor Strugë-Liqeni i Ohrit nuk do ta cenoi realizimin e Korridorit 8

 Rishikimi që po tentohet që t’i bëhet një segmenti të Korridorit 8 nga Maqedonia e Veriut deri në kufirin me Shqipërinë, për shkak të ndikimit të mundshëm të tij në mjedis dhe trashëgimisë kulturore që ka të bëjë me rajonin e liqenit të Ohrit nuk do ta pengojë vazhdimin e projektit deri në realizim të plotë ashtu edhe siç është paraparë për në kufirin me Shqipërinë, sipas ministrit të jashtëm të Shqipërisë Ferit Hoxha.

Hoxha tha në një përgjigje me shkrim për Zhurnal.mk se këtë çështje ai ditë më parë e ka biseduar me homologun e tij maqedonas Timço Muçunski, dhe që të dytë kanë “ndarë rëndësinë e këtij aksi madhor infrastrukturor pan-evropian që synon të lidhë Adriatikun me Detin e Zi.”, shkruan zhurnal.mk

Ferit Hoxha thotë se çështja në fjalë ka të bëjë me segmetin hekurudhor të korridorit 8 në këtë zonë, pra midis Strugës dhe Liqenit të Ohrit.

“Është e vërtetë që ekziston një çështje ende e pazgjidhur e që lidhet me një segment të këtij korridori, i cili buron nga nevoja për të balancuar zhvillimin e infrastrukturës me mbrojtjen e një prej zonave më të ndjeshme të trashëgimisë në Evropë: Trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit,” tha ministri i jashtëm i Shqipërisë për Zhurnal.mk, duke përkujtuar se rajoni i liqeni të Ohrit është një nga “ekosistemet më të vjetra dhe më unike në kontinent dhe gëzon mbrojtje nga UNESCO për shkak të biodiversitetit të jashtëzakonshëm, si dhe vlerave të tij të spikatura kulturore dhe historike.”

Hoxha tha se të dy qeveritë po bëjnë përpjekje që të me korridorin 8, segmenti hekurudhor, të mos shkaktohen dëme në ambient tek kjo pjesë e trashëgimisë.

“Ne jemi krenarë që kjo pasuri transkufitare është në Listën e Trashëgimisë Botërore. Për rrjedhojë, si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë detyrimin të ruajnë Vlerën Universale të Jashtëzakonshme të kësaj pasurie dhe, në këtë kuadër, të shmangin çdo zhvillim që mund të shkaktojë dëme të pakthyeshme,” tha ministri Hoxha.

“Konkretisht bëhet fjalë për një segment hekurudhor të planifikuar të Korridorit VIII në territorin e Maqedonisë së Veriut, gjurma e të cilit kalon në zonën pranë Strugës dhe rajonit të Ohrit. Kjo çështje nuk ka natyrë politike dhe lidhet me përcaktimin e gjurmës së projektit në raport me zonat e mbrojtura,” sqaroi ai.

Sipas ministrit Hoxha, qasja e qeverisë së Shqipërisë është që të garantohet që “zhvillimi i infrastrukturës strategjike të ecë përpara, duke respektuar njëkohësisht standardet më të larta të mbrojtjes së mjedisit dhe të trashëgimisë”.

“Për këtë arsye, është e domosdoshme të shqyrtohen alternativa dhe masa zbutëse, përfshirë rishikimin e gjurmës apo zgjidhje teknike që minimizojnë ndikimin, në pasurinë ndërkufitare, pa cenuar realizimin e Korridorit VIII,” tha Hoxha.

Hoxha tha se ai me Muçunski janë pajtuar që të dy qeveritë “të forcojnë më tej koordinimin, përfshirë në kuadër të UNESCO si të jetë e nevojshme, në mënyrë që të gjejmë zgjidhje dhe çdo zgjidhje të jetë në përputhje me angazhimet e përbashkëta për këtë korridor, detyrimet dhe standardet ndërkombëtare dhe mbi të gjitha, me rëndësinë strategjike që ka ky korridor për vendet tona, rajonin dhe Aleancën Atlantike”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit