Pas rritjes së fundit të çmimeve të karburanteve, ka reaguar LSDM, duke vlerësuar se masat e Qeverisë nuk po japin rezultatet e pritura.
Nga kjo parti theksojnë se çmimi i dizelit është rritur për 3,5 denarë dhe ka arritur në 95,5 denarë për litër, duke shënuar rritjen e tretë brenda tre javësh. Sipas tyre, pavarësisht uljes së TVSH-së nga 18% në 10%, qytetarët vazhdojnë të paguajnë çmime më të larta për karburantet.
Kryetari i partisë, Venko Filipçe, ka deklaruar se kjo situatë mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe në rritjen e kostos së jetesës.
Nga LSDM paralajmërojnë se trendi i rritjes së çmimeve mund të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, duke shtuar shqetësimet për standardin e qytetarëve.
Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski ka theksuar më herët se lëvizjet e çmimeve ndikohen edhe nga faktorë të jashtëm, si tregjet ndërkombëtare dhe kursi i këmbimit.



