Prej 750 milionë eurove të parashikuara me planin e rritjes të Bashkimit Evropian, Maqedonia e Veriut deri tani ka shfrytëzuar vetëm 70 milionë apo 9%. Ndërsa fondet e tjera ka afat që t’i fitojë deri në fund të vitit 2028, nëse i realizon reformat e kërkuara në administratë, financa, arsim, ekonomi, digjitalizim, ekologji e sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit e të tjera. Megjithatë qytetarët e vendit fare nuk janë të njoftuar me këtë proces. Sipas hulumtimit të Institutit për Demokraci Societas Civilis, vetëm 10% e qytetarëve janë të njoftuar mirë. 42% e të tjerave kanë dëgjuar, por nuk i dinë detajet, ndërsa 43% fare nuk kanë dëgjuar.
Hulumtuesja Anamarija Velinovska, thotë se njoftimi me agjendën reformuese është me rëndësi të madhe, jo vetëm për t’i marrë paratë e BE-së, por edhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Është e domosdoshme të dihet pasi që kur qytetarët do të dinë se duhet të realizohen ato reforma, do të ekzistojë trysnia publike për realizimin e reformave të njëjta dhe do të dinë se nëse realizohen, pra nëse miratohet ndonjë ligj apo nëse bëhet ndonjë hap i caktuar do të vijojnë edhe mjete dhe do të dinë se çfarë të presin nga shteti në këtë periudhë kohore”, deklaroi Anamarija Velinovska, hulumtuese në Institutin për Demokraci.
Nga ana tjetër, pavarësisht bllokadës së vendit në rrugën evropiane për shkak të kontestit me Bullgarinë, gjatë vitit 2025 ka pasur rritje të mbështetjes për anëtarësimin.
“Është befasuese që pas shumë viteve, të rënies së vazhdueshme në mbështetjen për anëtarësim në BE, këtë vit, më saktësisht për vitin 2025 kemi matur rritje prej afërsisht 10%. Pra tani mbështetja për Bashkimin Evropian është lartë në 71%”, tha Anamarija Velinovska, hulumtuese në Institutin për Demokraci.
“Qytetarët ende e shohim Bashkimin Evropian si donator dhe aleat më të madh dhe partner që jep ndihmë ekonomike e kështu me radhë. Ose atë që kemi vullnet të rinovuar politik nga ana e BE-së ndaj Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe ndoshta ajo e ngre optimizmin te ne. Por e vërejmë edhe rritje te mbështetësit e VMRO-DPMNE-së, të cilët tani janë në pozitën e pushtetit”.
Sipas Institutit për Demokraci, deri më tani 35% të reformave të parashikuara me planin e rritjes, Maqedonia e Veriut i ka realizuar. Përparim më të madh ka në fushën e digjitalizimit, ndërsa më dobët jemi në ato më të rëndësishme dhe më të vështirat – luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.



