Mickoski: Qeveria e ul TVSH-në për karburantet në 10%, çmimet e benzinave do të mbeten të njëjta

Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi masa konkrete për zbutjen e rritjes së paralajmëruar të çmimeve të karburanteve, pas analizave që tregojnë rritje të fortë të çmimeve në tregjet botërore.

Sipas vlerësimeve, benzina EUROSUPER 95 dhe 98 mund të shtrenjtohen për rreth 6,5 denarë për litër, ndërsa dizeli mund të rritet deri në 10,5 denarë.
Kjo do të thotë se benzina nga 86,5–88,5 denarë do të arrijë në 93–95 denarë, ndërsa dizeli nga 92 në 102,5 denarë për litër.

Si përgjigje, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për uljen e TVSH-së për benzinën dhe dizelin nga 18 në 10 për qind, me qëllim që të zbutet goditja ndaj qytetarëve.
“Me këtë masë presim që çmimi i benzinës të mbetet pothuajse i pandryshuar, ndërsa dizeli të shtrenjtohet për rreth 3 deri në 3,5 denarë për litër, në vend se për më shumë se 10 denarë”, deklaroi Mickoski.
Gjithashtu, Qeveria po zhvillon bisedime me OKTA për rritjen e zbritjes ndaj tregtarëve, çka mund të sjellë ulje shtesë të çmimeve.
Kryeministri theksoi se, nëse arrihet marrëveshje, çmimet mund të jenë deri në 3 denarë më të ulëta se maksimumi i përcaktuar nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.
Sipas vlerësimeve, qytetarët me këto masa do të kursejnë rreth 200.000 euro në ditë, ose afërsisht 1,5 milion euro në javë.

“Kjo është një vendim me të cilin drejtpërdrejt mbrojmë standardin e qytetarëve në kushtet e krizës globale energjetike”, theksoi Mickoski, duke shtuar se vendi vazhdon të ketë ndër çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit