Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se çmimi i karburantit ka pësuar rritje si pasojë e krizës globale që ka ndikuar drejtpërdrejt zinxhirin e furnizimit të naftës.
Në podkastin “Flasim”, Rama theksoi se qeveria ka marrë masa konkrete për të mbrojtur konsumatorët dhe për të parandaluar abuzimet në treg.
“Është ngritur një taskforcë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe atë të Financave me qëllim që të rritet kontrolli dhe të evidentohet çdo lloj abuzimi i mundshëm në treg. Nuk janë vënë re abuzime, monitorimi vazhdon, dhe duke qenë se çmimi ka pasur një tjetër kërcim, është marrë vendimi që të hyjmë në regjimin e bordit të transparencës”, tha kryeministri.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu masat e përkohshme për uljen e çmimit të karburantit, si ulja e nivelit të akcizës me rreth 20%, për të lehtësuar barrën mbi përdoruesit e automjeteve.
Ai theksoi se të ardhurat e shtetit nga rritja e çmimit, pas uljes së akcizës, do të përdoren kryesisht për mbështetjen e pensionistëve.
Në fund të ditës, ajo që ne na intereson e para është që të mbrojmë pensionistët, që do të thotë se niveli i përfitimit që do të vijë në arkën e shtetit nga rritja e çmimit, cilidoqoftë ai, pas uljes që iu bë akcizës, do të shkojë vetëm për të mbrojtur pensionistët”, theksoi Rama.
Rama vuri në dukje se qeveria po përgatit edhe projektligjin për rezervat strategjike, i cili ndodhet në konsultim publik, dhe po planifikon ndërhyrje të reja në tregun e karburanteve për të garantuar ekuilibrin e çmimit dhe transparencën e lëvizjeve të naftës në vend.
Ai shtoi se ndërhyrjet do të luftojnë fenomenin e evazionit dhe kontrabandës së naftës, duke vendosur rregulla më të rrepta për tregun dhe duke mbrojtur qytetarët dhe përdoruesit e ligjshëm të karburantit.
“Është një proces i nisur përpara se të fillonte kjo krizë e re, që lidhet me humbjen e baraspeshës së botës në rang global, gjë e cila po provokon kriza pas krizash. Dhe nga ana tjetër, paralelisht, ne po përgatitemi që të fusim në treg një faktor publik, një forcë të re, e cila do të ketë barrën, që së bashku me një sërë masash tjera të bëjë një ndërhyrje domethënëse në vendosjen, jo vetëm të një ekuilibri në aspektin të çmimit në tregun e naftës, por edhe të një niveli krejt të ri për sa i përket transparencës së atij tregu, për sa i përket lëvizjeve të naftës në Republikën e Shqipërisë dhe për sa i përket edhe një fenomeni ende të pashterur në këtë aspekt, që është evazioni dhe kontrabanda e naftës, duke përfituar edhe nga regjimi tranzit dhe duke bërë marifete të cilave u ka ardhur fundi”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se me fakte shumë shpejt do të tregojë që ndërhyrja ka qenë në të mirë të shoqërisë, shkruan ATSh.
“Ne do të ndërhyjmë dhe besojmë shumë që në një periudhë jo shumë të largët, do të tregojmë me fakte, që ndërhyrja ka qenë një ndërhyrje në të mirë të shoqërisë, në të mirë të përdoruesve të automjeteve të konsumatorëve të naftës, po mbi të gjitha, në të mirë të të gjithë atyre që nuk ndotin dhe nuk ia kanë për borxh atyre që ndotin, duke ngarë makina me naftë që në ndërkohë të paguajnë një pasojë, të cilës ne duam t’i japim fund”, theksoi Kryeministri.



