Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po synojnë të ecin përpara me vendosjen e një moshe minimale për përdorimin e platformave të mediave sociale si TikTok dhe Instagram, në përpjekje për të forcuar mbrojtjen e të miturve në hapësirën digjitale.
Kjo nismë u theksua në përfundimet e një samiti të zhvilluar në Bruksel, ku u vlerësua se një kufi minimal moshe për akses në rrjetet sociale është i domosdoshëm për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve online.
Sipas dokumentit zyrtar, zbatimi i këtyre masave duhet të respektojë privatësinë dhe kompetencat kombëtare të shteteve anëtare. Njëkohësisht, u kërkua nga Komisioni Evropian që të zbatojë me rigorozitet Akti i Shërbimeve Digjitale dhe udhëzimet për mbrojtjen e të miturve.
Megjithatë, vendosja praktike e kufijve të tillë do të kërkojë bashkëpunimin e vetë platformave digjitale. Ndërkohë, shtetet individuale nuk do të kenë të drejtë të vendosin masa të veçanta, si kontrolle të detyrueshme moshe, pa një vendim në nivel të BE-së.
Në të njëjtën kohë, vendimet për kufizimet konkrete të moshës mund të mbeten pjesërisht në kompetencë të shteteve anëtare.



