Besimtarët myslimanë sot në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë botën festojnë Fitër Bajramin, një nga festat më të rëndësishme islame, e cila shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, shkruan Portalb.mk.
Në Shkup, falja e namazit të sabahut është kryer në orën 05:04, ndërsa namazi i Fitër Bajramit është falur në orën 06:19.
Manifestimi qendror u mbajt në Xhamia Mustafa Pasha, ku morën pjesë një numër i madh besimtarësh, ndërsa ceremonia u transmetua drejtpërdrejt në TVM2.
Pas faljes së namazit, besimtarët shkëmbyen urime me njëri-tjetrin, duke përcjellë mesazhe paqeje, mirësie dhe respekti.
Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu, në mesazhin e tij me rastin e Fitër Bajramit theksoi se kjo festë përfaqëson një nga gëzimet më të mëdha shpirtërore të vitit.
Ai nënvizoi se gjatë muajit të Ramazanit besimtarët dëshmuan urtësi, paqe dhe solidaritet, duke dërguar një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e vlerave morale në shoqëri. Sipas tij, Fitër Bajrami është një ditë pajtimi dhe afrimi, ku njerëzit duhet të hapin zemrat, të falin njëri-tjetrin dhe të forcojnë lidhjet familjare e shoqërore.
Urime për këtë festë kanë dërguar edhe liderë politikë dhe përfaqësues institucional në vend, rajon dhe më gjerë.
Fitër Bajrami vjen menjëherë pas përfundimit të Ramazanit, muajit të nëntë të kalendarit islam, gjatë të cilit besimtarët agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, duke u përkushtuar ndaj adhurimit, vetëpërmbajtjes dhe solidaritetit.



