Besimtarët myslimanë në vend dhe në mbarë botën sot festojnë festën e madhe Fitër Bajrami, e cila vjen pas muajit të agjërimit Ramazani.
Kjo festë shënon përfundimin e agjërimit njëmujor, gjatë të cilit besimtarët përmbaheshin nga ushqimi dhe pijet nga agimi deri në perëndim të diellit, duke iu përkushtuar pastrimit shpirtëror dhe fizik. Në të gjitha xhamitë sot është falur namazi i Bajramit, ndërsa pas faljes besimtarët vizitojnë varrezat e të afërmve të tyre.
Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit islam dhe ka rëndësi të veçantë, pasi në këtë muaj, sipas besimit, ajetet e para të Kurani iu shpallën profetit Muhamedi para më shumë se 1.400 vitesh.
Gjatë muajit të agjërimit, besimtarët janë të obliguar të japin edhe sadakatul-fitr, një lëmoshë për të varfrit, e cila duhet të jepet para faljes së namazit të Bajramit.
Me rastin e festës, urim ka dërguar kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai, i cili theksoi se Fitër Bajrami është ditë pajtimi, faljeje dhe forcimi të lidhjeve familjare dhe shoqërore. Ai i ftoi besimtarët të vazhdojnë rrugën e mirësisë, paqes dhe solidaritetit edhe pas përfundimit të Ramazanit.
Fetai shtoi se gjatë Ramazanit besimtarët treguan pjekuri, urtësi dhe solidaritet, duke dërguar një mesazh për paqe, humanizëm dhe kujdes ndaj njeriut./Ora24.tv



