Një tjetër fluturim për evakuimin e qytetarëve në linjën Dubai – Shkup pritet të realizohet sot.
Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Emiratet e Bashkuara Arabe të dielën njoftoi të gjithë shtetasit maqedonas që aktualisht ndodhen në Emirate se të martën do të realizohet edhe një fluturim tjetër.
“Duke pasur parasysh se janë në përfundim përgatitjet dhe detajet për realizimin e tij, të gjithë qytetarët që kanë nevojë të domosdoshme dhe prioritare për evakuim duhet të paraqiten sa më shpejt në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Abu Dabi”, thuhet në njoftim.
Regjistrimi, sipas Ambasadës, mund të bëhet në kontaktet e mëposhtme: Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Abu Dabi, telefon: +971 56 441 7532 dhe e-mail: [email protected].
Deri më tani janë realizuar katër fluturime të organizuara për evakuimin e qytetarëve nga rajoni i Lindjes së Mesme, me të cilat janë transportuar gjithsej 458 pasagjerë.



