Sot shënohet një vit nga tragjedia e rëndë në Koçan, ku nga një zjarr në diskotekën “Puls” humbën jetën 63 persona, ndërsa më shumë se 200 të tjerë u plagosën.
Dhimbja dhe kujtimi për ngjarjen që tronditi Koçanin dhe mbarë vendin u ndjenë edhe këtë mëngjes në qytet, ku herët në agim u mbajt një tubim përkujtimor për viktimat.
Tubimi u organizua nga Shoqata e qytetarëve “16 Mars 2025 Koçani” dhe nisi simbolikisht në orën 02:15 para objektit ku ndodhej kabareja “Puls”.
Në orën 02:32, me qirinj në duar dhe me një minutë heshtje, prindërit dhe qytetarët e pranishëm nderuan kujtimin e të rinjve që humbën jetën në zjarrin tragjik.
“Në qoftë se drita e qirinjve dëshmon se nuk harrojmë, le të flasë heshtja për dashurinë që mbetet”, thanë nga Shoqata “16 Mars 2025 Koçani”.
Hapësira ishte e ndriçuar me reflektorë dhe e zbukuruar me lule dhe zemra, në të cilat ishin shkruar emrat e të rinjve që humbën jetën në zjarr ose nga pasojat e tij.
Në Koçan u mbajt edhe Konferenca Ndërkombëtare “Aspektet institucionale dhe klinike dhe zgjidhjet pas zjarrit në Koçan – një vit më pas”, ku u prezantuan përvojat e sistemit shëndetësor – nga ndërhyrja e parë dhe shpëtimi i jetëve njerëzore, deri te trajtimi, rehabilitimi dhe zgjidhjet sistemore që synojnë ta bëjnë shtetin më të përgatitur institucionalisht për situata të tilla në të ardhmen.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme në Qendrën e Kulturës “Beli Mugri” do të mbahet edhe një ngjarje komemorative në nder të viktimave të zjarrit tragjik.



